HANOI – Vietnami bëri të ditur se do të kërkojë ndihmë ndërkombëtare për të gjetur shkakun e një sëmundjeje lëkure që ka vrarë deri tani 19 njerëz.

Mëse 170 persona kanë shfaqur deri tani shenjat e këtij infeksioni lëkure në një provincë qendrore të vendit. Sëmundja nis me kruarje të duarve dhe këmbëve dhe përparon deri në probleme të mëlçisë dhe shkatërrim të organeve.

Testimet e deri tanishme të ministrisë vietnameze të shëndetësisë kanë dështuar në përcaktimin e shkakut të sëmundjes. Sëmundja shpërtheu vitin e kaluar mes muajve prill dhe dhjetor e më pas u fashit, por u rishfaq sërish këtë muaj.

Një nga hipotezat e hedhura është se infeksioni mund të ketë si shkak kimikatet. Qeveria e Vietnamit tha se do të kërkojë ndihmë nga OBSH dhe Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, që t’u bashkohen kërkimeve të mjekëve vendas.

(ep/shqiptarja.com)