Përgjatë vitit 2021, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përdorur përgjimet në 129 çështje, për 1500 persona nga të cilët kanë përfunduar të arrestuar 179 prej tyre.
“Gjatë vitit 2021, për veprat penale nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, janë interceptuar rreth 1500 subjekte përgjimi (autorë të dyshuar apo që kanë dijeni për vepra penale), 1957 pajisje fundore (pajisja/numri telefonik i subjektit në përgjim) ku është rezultuar në ndalimin e rreth 179 personave të dyshuar për kryerje të veprave penale”, thuhet në raportin e SPAK.
Numri më i madh i të përgjuarve ka qenë i akuzuar për korrupsion. Në Prokurorinë e Posaçme për periudhën e vitit 2021 janë hetuar gjithsej 715 procedime penale, nga të cilat 352 procedime penale janë mbartur nga viti 2020, ndërsa 363 procedime penale janë regjistruar nga Prokuroria e Posaçme gjatë vitit 2021 si proçedime penale të reja. Nga 363 procedime penale të reja të filluara në vitin 2021, 70 proçedime penale janë dërguar për kompetencë nga Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore, proçedimet penale të tjera janë filluar mbi bazën e referimeve penale të shërbimeve të policisë gjyqësore, të kallëzimeve penale të institucioneve të ndryshme, enteve private dhe të shtetasve.
Nga SPAK janë regjistruar kryesisht 18 procedime penale. Është vendosur mospranimi i akteve për 24 procedime penale të dërguara për kompetencë lëndore nga Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore, të cilat janë ridërguar në prokuroritë kompetente. Në Prokurorinë e Posaçme janë rregjistruar në vitin 2021 gjithsej 344 kallëzime/referime penale për të cilat është vendosur mosfillimi i proçedimit penal për 121 kallëzime/referime penale, për 217 kallëzime/referime penale është rregjistruar proçedim penal, ndërsa për 6 kallëzime penale është vendosur dërgimi i materialit kallëzues për komptencë në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore.