Nga sot keni një mundësi të re për të fituar para. Kjo nëpërmjet kuicit që ka filluar sot në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv në rubrikën e gatimit. E gjithë ajo që duhet të bëni është të telefononi në numrin 044 400 101dhe të gjeni se sa kushton receta që është duke gatuar Zonja Vjollca. Ka qenë Ela nga Tirana një prej telefonuesve të shumtë ajo që sot është bërë fituesja e parë e kuicit duke gjetur koston e recetës së parë e cila ishte 670 lekë. Personi i cili gjen vlerën e saktë se sa kushton receta bëhet fitues i një vlere prej 2000 lekësh të reja të cilat mund ti shpenzojë në rrjetin e supermarketeve Conad.
Receta e parë që Zonja Vjollca gatoi ishte Tavë me patate, qumësht e parmixhan dhe ka këta përbërës:
800 gr patate
180 gr proshutë
200 gr mozzarele
3 lgj parmixhanë
2 lgj galetë e thërmuar
1 gotë qumësht
vaj ulliri
kripë+ piper i zi
rozmarinë
Përgatitja:
Qërojmë patatet dhe i presim ato në feta të holla. Lyejmë një tavë me vaj ulliri dhe e pudrosim me bukë të thërrmuar. Vendosim patatet në formën e tjegullave dhe i spërkatim me pak kripë, piper të zi e rozmarinë. Copëtojmë proshutën dhe e shpërndajmë në të gjithë sipërfaqen e tavës. Gjithashtu vendosim dhe disa feta apo copëza mozarela të shpërndara. Spërkatim me pak vaj dhe djathë parmixhan. Mbulojmë përsëri me feta patate dhe shtojmë kripë e piper , rozmarinë, proshutë, mozarela, pak vaj dhe parmixhan. Mbulojmë përsëri me feta patate dhe hedim një gotë qumësht anash tavës. E mbulojmë sipër duke shtuar galetë të trazuar me parmixhan të grirë hollë. E mbulojmë me letër alumini dhe e vendosim në furrë në temperaturën 200ºC për 35-40 minuta. Në 10 minutëshin e fundit e largojmë letrën e aluminit.
Tavë me patate, qumështor dhe parmixhan
Ndërsa receta e dytë e ditës së sotme ishte gjellë me bizele
Përbërësit:
1 tufë qepë të njoma
2 thelpi hudhër
2 domate
1 lgj salcë domate
500 gr bizele të përziera (të freskëta)
1 tufë majdanoz
1 tufë kopër
kripë+ piper i zi
4 lgj vaj ulliri
1 karrote
1 patate
600 ml lëng perimesh
Përgatitja:
Ngrohim vajin në tenxhere të thellë dhe kaurdisim qepën e prerë në unaza dhe hudhrat e grira hollë. Sapo qepët të ulin volumin shtojmë domatet e prera në kubikë (pa lëkurë) dhe i lëmë të ziejnë për 5 minuta. Shtojmë salcën dhe i përziejmë së bashku. Shtojmë bizelet dhe vazhdojmë kaurdisjen duke shtuar më pas edhe lëngun e perimeve të ngrohtë baraz me nivelin e bizeleve. Rregullojmë shijen me kripë e piper të zi, vendosim kapakun dhe i lëmë bizelet të ziejnë për 10-15 minuta. Ndërkohë grijmë hollë kopër-majdanoz dhe i shtojmë në tenxhere në minutën e fundit. Fikim sobën dhe i lëmë të mbuluara dhe për 10 minuta të tjera. Më pas i shërbejmë të ngrohta.