Sa më shumë i afrohemi Bashkimit Evropian aq më ambicioze bëhen pritshmëritë e qeverisë për ‘shpërblim’ nga Brukseli.

Integrimi ekonomik është një proces që ndodh edhe më shpejt se anëtarësimi i plotë, ndaj për të mbështetur vendin në përmbushjen e reformave dhe përshtatjen me rregullat e BE-së, Shqipëria po ndihmohet nga ‘Plani i rritjes’, nga i cili vendi planifikohet të përfitojë 500 milionë euro përgjatë viteve 2026-2029.

Në kuadrin makroekonomik të rishikuar, qeveria ka rritur me 27,4 miliardë lekë pritshmëritë e përfitimit të fondeve nga ‘Plani i Rritjes’, ku me përjashtim të vitit aktual ku është ulur objektivi nga 3.15 miliardë lekë në 1.7 miliardë lekë, të gjitha vitet të tjera janë me rritje, sidomos 2028-ta.

Konkretisht përgjatë këtij 4-vjeçari, synohet të përthithen në 47.4 miliardë lekë ose rreth 500 milionë euro (me kursin aktual), kundrejt 19.98 miliardë lekëve ose 213 milionë eurove të planifikuara në dokumentin që u miratua në janar të këtij viti.

Me objektivin se brenda 2027-ës do të mbyllen të 33 Kapitujt, bashkë me detyrat dhe reformat që diktohen nga procesi integrues, Ministria e Financave thotë se në vitin që vjen vendi do të përfitojë nga Plani i Rritjes 14.1 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2028 arrijnë në 16.9 miliardë lekë dhe 14.7 miliardë lekë në 2029-ën.

Në mbledhjen e dytë të Komitetit Monitorues të Instrumentit për Reforma dhe Rritje të zhvilluar muajin e kaluar në Tiranë, u tha se vendi ka përfituar deri më tani nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor 212.8 milionë euro.

‘Plani i Rritjes’ me vlerë 6 miliardë euro (2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi) u miratua nga Komisioni Evropian më 8 nëntor 2023, dhe përfitohet nga shtetet në bazë të reformave që ato përmbushin.

PËRFITIMET NGA PLANI I RRITJES
                       ISHTE                    BËHET
Viti 2026       3.151 mln lekë          1.790 mln lekë        
Viti 2027       5.508 mln lekë        14.134 mln lekë
Viti 2028       9.713 mln lekë        16.876 mln lekë
Viti 2029       1.613 mln lekë        14.657 mln lekë
TOTAL         19,985 mln lekë      47,457 mln lekë