Sa shërbime kryen Shkëlzen Maliqi?

Sa shërbime kryen Shkëlzen Maliqi?
Shkelzen Maliqi dikur ka qenë një zë i përfillshëm publik. Ka qenë aktiv në shoqërinë civile, ka marrë pjesë në konferenca e debate, ka dhënë intervista në shtypin kritik jugosllav dhe në këtë mënyrë ai u ka hapur rrugë edhe intelektualëve të tjerë kosovarë që të jenë më kryengritës ndaj regjimit jugosllav. Maliqi e kishte luksin e kritikës për shkak se e kishte “krahun e fortë” në nomenklaturën politike të kohës. Nuk duhet lënë pa përmendur këtu edhe rolin e tij pozitiv që ka luajtur në vitet 80-të kur drejtonte revistën për kulturë “Fjala”, e cila atëbotë ishte bërë forum i rëndësishëm edhe i mendimit politik e filozofik në Kosovë.

Sot Shkelzen Maliqi nuk është më as hija e vetvetes. Për më tepër ai gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një kloun, që kërcen në shumë skena dhe për shumë ustallarë të tij. Zyrtarisht Maliqi është këshilltar i Edi Ramës, kryeministrit të Shqipërisë. Përveç se është parë njëherë si pjesë e delegacionit të Ramës gjatë vizitës në Mal të Zi, nuk dihet për asnjë aktivitet tjetër publik të tij. Kohën e kalon kryesisht në Prishtinë, edhe pse zyrën e ka (ose do të duhej ta kishte) në kabinetin e Ramës, ku ai është caktuar këshilltar për çështje rajonale.

Nga kjo pozitë Shkelzen Maliqi po prodhon mjaft skandale. Nga prizmi i Prishtinës mund të shtrohet pyetja: se si është e mundur që Maliqi, ndonëse këshilltar i kryeministri të Shqipërisë, përzihet në mënyrë të palejueshme në jetën politike të Kosovës, madje duke e luajtur rolin e analistit politik? Për shembull në njërin nga komentet e tij të fundit ai atakoi kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, se nuk është kandidat i denjë për kryeministër, sepse s’paska ndonjë ekspertizë ekonomike.

Në gjithë analizën e tij sipërfaqësore Maliqi tenton ta bindë opinionin se, megjithatë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Hashim Thaçi nuk kanë alternativë. Këtë mesazh Maliqi e përçon mes rreshtave, duke goditur LDK-në. Se çfarë ekspertize ekonomike ka Hashim Thaçi këtë, vërtet, mund ta dijë vetëm Shkelzen Maliqi. Se çka merr vesh Thaçi nga ekonomia për këtë mjafton të shohësh varfërimin e popullit të Kosovës, dështimet e njëpasnjëshme në ekonomi dhe në privatizim, një proces që është shoqëruar me skandale të mëdha, që kulmuan edhe me (vetë)vrasjen e shefit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Fundja, mund të shtrohet pyetja se çfarë merr vesh Shkelzen Maliqi në çështjet ekonomike kur prej rënies së komunizmit në Jugosllavi, pra qe gati 30 vjet, ka jetuar kryesisht nga fondet ndërkombëtare. Pas emërimit të tij në postin e këshilltarit të Edi Ramës analizat politike të Maliqit sa i përket Kosovës nuk janë të dobishme. Edi Rama duhet të përgjigjet në pyetjen: a është fushata e Maliqit kundër LDK-së dhe “Vetëvendosjes” qëndrim zyrtar edhe i Qeverisë së Shqipërisë? Po e përsërisim: Maliqi tani është këshilltar i një qeverie tjetër, të një vendi tjetër. Apo mendimet e tij janë private? A domethënë kjo se në zyrën e Edi Ramës “analisti kosovar” përfaqëson mendime të tjera?

Nga një figurë publike si Maliqi, i cili tashmë edhe mund të quhet burrë në moshë, opinioni pret të jetë më serioz në qëndrimet e tij dhe jo të vrapojë nga tezga politike në tezgë, duke mos respektuar asnjë kriter të angazhimit publik. Emërimi i tij këshilltar i Edi Ramës po del të jetë një nga ato punët që bëhen alla shqiptarçe.

Anësia politike e Maliqit është parë edhe para se ai të emërohej këshilltar i qeverisë në Tiranë. Në një koment të shkruar para disa muajsh Maliqi e qortonte Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, e cila kishte bërë të ditur se në një qeveri të ardhshme nuk do të duhej të kishte vend për ish-shefin e SHIK-ut, Kadri Veseli, i cili tani është nënkryetar i PDK-së. Në vend se të shpalosë pak të bëmat e këtij shërbimi gjatë dhe pas luftës, Maliqi luan rolin e zëdhënësit të Veselit.

Kjo edhe nuk do të ishte problem sikur Maliqi ta bënte publik rolin e tij dhe kështu opinioni do ta dinte se në sa dasma po luan valle. Këshilltar i Edi Ramës, “analist politik” në shërbim të PDK-së, zëdhënës i SHIK-ut, a mos janë pak si shumë gjithë këto role për Shkelzen Maliqin? Duhet të jetë punë e rëndë kjo, aq më tepër që Maliqi është edhe anëtar i bordit të Galerisë Kombëtare të Arteve. Athua ky njeri e ka klonuar veten dhe ne ende nuk e kemi vërejtur?

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç