TIRANE - Ish-drejtuesi i lartë i PS, aktualisht një ndër të “urtët” pranë kreut socialist, Sabit Brokaj thotë se listat e PS janë më të mira se sa të PD. Ai shprehet se kandidimi i 3 deputetëve aktualë të PS në listat e PD dëmton më shumë Berishën, por përfiton Rama.

Fushata ka filluar tashmë. Si e shikoni të majtën e bashkuar?
Vertetë fushata ka filluar me kohë, sepse atë e imponon sjellja e e kundërshtarëve të PS. Pra më konkretisht atë e përcakton kreu i mazhorancës Berisha. Ai e ka fushatë tërë jetën, jo qeverisje, duke detyruar kështu kundërshtarët e tij politikë që të jenë tërë jetën në fushatë. Tashmë ajo po merr konturet e një fushate të rregullt, me ekipet, stragegjitë dhe taktikat e shkruara. Nëse flasim me gjuhën e një ushtaraku, tani po bëhet rreshtimi i forcave për t’i hedhur në betejën elektorale. Dhe në këtë betejë ka shumë rëndësi organizimi, kompaktësia dhe koshienca e tyre për të fituar. Organizimi e kompaktësimi ka elementë brenda partiakë por dhe koalicionin në vetvete. Gjykoj që, ndërsa brenda partisë natyrisht për vetë strukturat e organizimit dhe të drejtimit që ka në parti, është më i arrirë, organizimi dhe kompaktësimi në koalicion është në proces, por në drejtimin e duhur pozitiv.

Janë bërë publike listat e kandidatëve, si i shihni ato...?
Unë do kisha vërejtje lidhur me listën dhe do e filloja nga PS. Mund të ishte shumë më e mirë që kjo. Por ka kohë që kryetarët e partive, politikanët shqiptarë anojmë shumë më tepër nga aspekti individual se sa ai kolegjial, më shumë autoritarist se sa ai demokratik. Harrojnë një gjë: Janë disa elementë që politika si brenda një partie, ashtu dhe një shteti, që i përcaktojnë përmes disa kritereve që s’mund t’u shmangesh lehtë, ndryshe dështon. Gjithnjë pika e parë është kontributi politik, personaliteti publik, gjeneratat ose brezat, gjeografia, ndërthurja fetare, etnike etj. Pra janë elementë që shihen një për një, jo pasi i ke trazuar e bërë çorbë. Gjithsesi gjykoj që lista e PS është mjaft më e mirë se sa ajo e PD. Lista e PD është një çorbë derrash që po të shikosh me syrin e një profesionisti në politikë, s’mund të dallosh cilin kriter ka ndjekur Berisha përveç atij të një njeriu në panik, përveç kritereve individuale, krahinore apo klanore. Por tani s’është momenti që të flitet më për kritikë listash, por është momenti që ky grup të jetë sa më i organizuar dhe sa më i përkushtuar, për një fitore sa më të thellë më 23 qershor.

Që do të thotë....?
Pavaresisht verejtjeve apo diçka tjetër, lufta politike tani ka vetëm një qëllim: largimin e Berishës. Prej këtij momenti, mund të bëhet fjalë vetëm për faktin se nëse Shqipëria do të ecë në procesin demoraktik e integrues apo do mbetet në vend. Prandaj nuk ia vlen të merremi me vërejtjet apo diçka tjetër, përballë qëllimit të vetëm madhor dhe kombëtar, largimin e Berishës.

Prishin punë për opozitën kandidatët e pavarur..?
Unë mendoj që prishin punë. Ka një gjë, po të ndjekësh arsyetimin e dy socialistëve që kandidojnë si të tillë, që thonë se sigurojnë votat e plota për të dalë deputetë, mund të themi që aritmetika nuk prishet. Por ekziston rreziku që diferenca me numrat dhe mosmarrja e mandatit prej tyre, të ketë ndonjë pasojë.

Po kandidimi i tre deputetëve të PS në listat e PD...?
Për mua kanë bërë një veprim politik krejtësisht të papranueshëm dhe nuk ia vlen të merresh me ta. Eshtë një gjest jo normal. Mendoj që nga lëvizja e tyre përfiton me shumë PS, se sa PD.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 11.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqitarja.com)