TIRANE- Poltikani i njohur Sabri Godo mund t'i jetë nënshtruar dje një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e një mase tumorale në mushkëri. Megjithëse mjekët që po asistojnë situatën shëndetësore të Godos nuk e pranojnë zytarisht, burime konfidenciale pranë stafit të Sanatoriumit të cituara nga shqiptarja.com kanë thënë se gjatë mesdites së djeshme, 82- vjeçarit i është hequr një masë tumorale në mushkëri.

Mjekët japin deklarata jo të plota, pasi megjithëse, ata përpiqen të fshehin situatën e vërtetë, duke thënë se ai nuk ka pësuar përmirësime dhe as përkeqësime, por vazhdon të jetë në të njëjtën situatë, na thonë gjithashtu se rezultatet e biopsisë pritet që brenda dy ditëve të dalin edhe rezultatet e tyre, për të parë se çfarë sëmundjeje ka ai saktësisht.

Ndërkohë që e bija e politikanit të njohur, ish-ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, konfirmon që situata e tij shëndetësore është ende jo e stabilizuar. "Ne nuk kemi asgjë për të fshehur, - na thotë ajo, - por as nuk mund të mendojmë që në këto momente të rënda për ne, të japim intervista. Babai vuan nga një sëmundje e rëndë në mushkëri, e cila para tre ditësh i dha një goditje të fortë, ndaj dhe ne e sollëm në Sanatorium", - ka thënë Anila Godo për gazetën tonë.