TIRANE - Kreu i sindikatës së punonjësve të policisë së Shtetit Sadedin Fishta thotë se është shumë e rëndësishme reforma, e cila duhet bërë përmes zbatimit të ligjit që nga sistemi i gradave e deri tek trajtimi i policëve. Madje ai thotë se mbi 80 përqind e policisë së shtetit i duhet rishikuar grada. “Reforma nënkupton zbatimin e ligjit, pasi policia e shtetit punon mbi bazën e një ligji, që është ligji mbi policinë e shtetit. Dhe ky ligj është në vitin e gjashtë të zbatimit të tij. Me ligjin e vjetër dhënia e grave bëhej në bazë të vjetërsisë së punës, pra dhurohej.

Me ligjin e ri grada fitohet. Por ka dhe një afat kohor dhe konkretisht drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit duhet të ketë 19 vite pune pa shkëputje për të konkurruar”, tha Fishta. Duke nënvizuar se dhe këtu ka shkelje, pasi për gradën jepet dhe koha jashtë policie. “Konvertohen 2 vite punë në shërbim civil me një vit punë në shërbim policie. Pra nëse do të zbatohej ligji mund të them që mbi 80% e policisë së shtetit duhet që të rishikohen gradat. Mund të jenë vetëm 20% që gjatë këtyre 4 viteve kanë fituar me konkurs këtë gradë.

Pjesa tjetër e kanë të dhuruar ose të përfituar për shkak të funksioneve që kanë pasur në momentin kur është bërë implementimi i gradave”, deklaroi për “A1Report” Fishta. Nga ana tjetër ai ka folur dhe për testet që duhet të bëjnë efektivët e policisë, duke qënë në të njejtën linjë me shqetësimin e ngritur nga gazeta “Shqiptarja.com” se këtu është shkelur ligji. “Testet në polici, e keqja është se komisionet ngrihen nga vetë policia e shtetit e nuk janë zbatuar kriteret e ligjit.

Ndërsa në lidhje me mbipeshën, mund të themi se kemi mesatare të lartë të moshës në polici, pra 17 vite punë. S’ka pasur rifreskim vitet e fundit por do të ketë”, deklaroi Fishta. Sipas të cilit dhe me ligjin e ri ekziston dypunësimi, por pa prekur interesat e detyrës që ka marrë në policinë e shtetit si dhe pa përdorur uniformën dhe pajisjet e policisë së shtetit. “Ka abuzime, pasi nuk janë vënë nën kontroll sipas ligjit, dhe se kontrollet kanë qënë krejt formale. Duhet parë dhe ngarkesa e punonjësve të policisë që kanë mbi 40 orë punë në javë, që nuk duhen lejuar në dypunësim”, tha Fishta.

Ai ka nënvizuar se bashkimi i policive në një të vetme është efikas. Por për të asnjëherë dhe prishja e ndërtime pa leje nuk është realizuar pa qënë policia e shtetit. Ndërkohë që kërkon reformë totale për forcimin e policisë, Fishta mendon se duhet trajtim për ta.  “Policët nuk kanë motivim. Dhe ky vjen përmes trajtimit. Katër vjet punonjësit e policisë kanë qënë me shperblimin më të ulët, ka dy vite që s’kanë marrë dieta. Para mbi 10 vitesh ata i merrnin për dy ditë”, deklaroi ai.

Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt 09.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)