Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi tha se reforma në drejtësi është ngadalësuar për shkak të mungesës së vullnetit për ta zbatuar atë njësoj sikurse nisi. 

"Pavarësisht sfidave dhe pengesave, thelbi i saj mbetet i pandryshuar, sepse reforma nuk ka dështuar. Ajo është ngadalësuar nga mungesa e vullnetit për ta zbatuar me të njëjtin idealizëm dhe integritet, me të cilin u ndërtua.", u shpreh Sadushi. 

Në Konferencën "30 Vjet Partneritet dhe Progres: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias”, Sadushi vuri në dukje se reforma nuk është një projekt vetëm i drejtësisë, por një sfidë kombëtare që përfshin politikën, administratën dhe çdo institucion që mban përgjegjësi ndaj qytetarit.

“Reformimi nuk është vetëm detyrë e drejtësisë, por edhe e politikës, e administratës dhe e çdo institucioni që mban përgjegjësi ndaj qytetarit. Është vetë politika ajo që duhet të tregojë ndryshim dhe përgjegjshmëri, sepse vetëm një politikë e pjekur dhe një drejtësi me integritet mund të garantojnë së bashku një sistem të qëndrueshëm dhe të pavarur.”

Sadushi theksoi se drejtësia shqiptare duhet të hyjë në fazën e vetëpërmirësimit dhe të konsolidimit, duke e çliruar veten nga “kompleksi i reformave” dhe duke fituar besimin përmes sjelljes dhe vendimeve të ndershme. 

“Qytetari nuk kërkon drejtësi të përsosur, por drejtësi që përpiqet çdo ditë të jetë më e drejtë. Besimi nuk fitohet me fjalë, por me sjellje dhe me vendime që mbrojnë ligjin dhe dinjitetin njerëzor.”

 Edhe për Vettingun, kreu i Gjykatës së Lartë thotë se ndonjëherë ka ngritur dyshimet e proceseve me dy standarde.

“Janë vërejtur vendimmarrje të pabarabarta për çështje të ngjashme, mungesë koherence në interpretim dhe ndikim i perceptimeve publike mbi procesin, çka ka krijuar herë pas here ndjesinë e standardeve të dyfishta.”

Kreu i Gjykatës së Lartë tha mes të tjerash se drejtësia duhet të kalojë në fazën e saj të konsolodimit, të vetëzhvillimit dhe të forcohet përmes institucioneve të saj, sepse, siç shtoi ai, "vetëm një drejtësi që ecën me këmbët e veta mund të jetë e besueshme dhe evropiane".

"Pas kësaj faze të thellë transformimi, drejtësia shqiptare ka nevojë të kalojë në fazën e saj të konsolidimit. Sot, më shumë se kurrë, duhet të kuptojmë se drejtësia shqiptare duhet të çlirojë veten nga kompleksi i reformave. Reformimi nuk është vetëm detyrë e drejtësisë, por edhe e politikës, e administratës dhe e çdo institucioni që mban përgjegjësi ndaj qytetarit. Në këtë kuadër, është vetë politika ajo që duhet të tregojë ndryshim dhe përgjegjshmëri, sepse vetëm një politikë e pjekur dhe një drejtësi me integritet mund të garantojnë së bashku një sistem të qëndrueshëm dhe të pavarur. Vetëm kur këto dy shtylla ecin paralelisht, reforma merr kuptim dhe vazhdimësi. Ndryshe, rrezikojmë të mbetemi peng të një rrethi të pafund reformash, që e mbajnë sistemin gjyqësor gjithmonë në nisje, por kurrë në mbërritje.", tha mes të tjerash ai. 


Lajmi kryesor:

Drejtësia/ Suchocka: Shqipëria, hap madhor në pavarësinë e gjyqësorit! Sadushi: Reforma është ngadalësuar, s'ka më vullnet si në fillim