Isuf Jaçaj

Ndërtimi pa leje i zbuluar nga policia të enjten në Sarandë dyshohet se lidhet me një seri ngjarjesh kriminale që kanë tronditur qytetin muajt e fundit. Sipas burimeve pranë policisë për gazetarin e Report Tv Sokol Dema, prona ku po kryheshin punimet rezulton të ketë qenë në emër të Isuf Jaçajt, i cili mbeti i vrarë pas një shpërthimi me tritol në automjetin e tij në tetor të vitit 2025.

Hetuesit dyshojnë se pas atentatit mund të qëndroj një grup kriminal me bazë në Kamëz, i cili po verifikohet edhe për përfshirje në episode të tjera kriminale në Sarandë. Në pronën që dyshohet se ishte marrë me forcë nga ky grup, po ndërtohej një beach bar që synohej të vihej në funksion gjatë sezonit turistik.

Për lejimin e ndërtimit, dyshohet se janë dhënë ryshfete ndaj drejtuesve lokalë të policisë. Për këtë çështje, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ndaluar shefin e Komisariatit të Policisë Sarandë, si dhe tre vartës të tij, të dyshuar për shpërdorim detyre dhe përfshirje në skemën korruptive që lejoi vijimin e punimeve.


Lajmi kryesor:

Favorizuan ndërtimin pa leje të lidhur me krimin, si u ‘shkri’ Policia e Sarandës! Prona e Isuf Jacajt u mor nga banda e Kamzës, në 2025-ën u ekzekutua me tritol