Ndërtimi i Sagrada Família filloi në vitin 1882 dhe, pas më shumë se 140 vjetësh, projekti i imagjinuar nga Antoni Gaudí vazhdon të evoluojë. Një rrugëtim që ka zgjatur më shumë se një shekull dhe që sot është shndërruar edhe në një set të serisë LEGO Architecture, i krijuar për të rindërtuar, tullë pas tulle, një prej veprave më ambicioze në historinë e arkitekturës.

Pikërisht në vitin 2026, në përvjetorin e 100-të të vdekjes së arkitektit katalanas, monumenti arriti një nga objektivat e tij më të rëndësishëm me përfundimin e kullës qendrore kushtuar Jezu Krishtit, e cila arrin lartësinë 172,5 metra. Kjo ngjarje përkujtohet nga seti i ri LEGO Architecture Sagrada Família, një riprodhim që kthen në pjesëza LEGO pamjen e ndërtesës dhe historinë e saj komplekse të ndërtimit.

Procesi i montimit ndjek fazat kryesore të realizimit të bazilikës: nga absida dhe kripta te fasadat e Lindjes (Nativity) dhe Pasionit, e deri te navatat, sakristitë dhe gjashtë kullat që karakterizojnë modelin. Ndër detajet më të veçanta spikat efekti i dritareve me xhama shumëngjyrësh, i projektuar për të rikrijuar mënyrën se si drita përshkon hapësirat e brendshme të kishës së vërtetë.

Me 12.060 pjesë, ky është seti më i madh i prodhuar ndonjëherë nga LEGO për sa i përket numrit të elementeve. Pasi përfundon montimi, modeli arrin një lartësi prej 62 centimetrash.

“Ndjemë një përgjegjësi të jashtëzakonshme për t’i bërë drejtësi Sagrada Famílias me këtë projekt. Qëllimi ynë ishte të nderonim vizionin e Gaudít me respektin maksimal, duke kapur ritmin e ndërtimit të bazilikës, kompleksitetin e saj të jashtëzakonshëm dhe duke e shndërruar të gjithë këtë në një përvojë ndërtimi gjithëpërfshirëse. Ky nuk është vetëm seti LEGO më i madh i krijuar ndonjëherë, por edhe një model i një prej veprave arkitekturore më ambicioze në botë. Gjetja e ekuilibrit mes shkallës dhe saktësisë, duke i qëndruar besnikë një monumenti të gjallë që ka evoluar për më shumë se një shekull, ishte një sfidë unike projektimi, për të cilën jemi jashtëzakonisht krenarë”, tha projektuesi Rok Žgalin Kobe.

Projekti, i cili do të dalë në shitje më 1 nëntor dhe është i disponueshëm për porosi paraprake që nga qershori, është pjesë e koleksionit LEGO Architecture, kushtuar disa prej ndërtesave më ikonike në botë, si Fontana di Trevi në Romë, Notre-Dame de Paris dhe Statujës së Lirisë në Nju-Jork./Corriere