Saimir Tahiri letër SHISH:
Kërkoj rezultatet e përgjimit

TIRANE- Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i ka dërguar një letër shefit të SHISH-it Visho Ajazi, me anë të së cilës i ka kërkuar nëse është e vërtetë që janë përgjuar strukturat e policisë dhe nëse po, të njihet me rezultatet e hetimit.

Letra zyrtare është dërguar pak ditë më parë, ndërkohë që burime nga ministria e Brendshme bënë të ditur se SHISH nuk ka kthyer ende përgjigje. Kreu i ministrisë së Brendshme, nuk ka pranuar të bëjë publike letrën dërguar Ajazit por ka konfirmuar dërgimin e saj për t’u njohur me rezultatet e përgjimeve.

LETRA
Me anë të një letre zyrtare drejtuar kreut të Shërbimit Sekret Shqiptar, javën e kaluar, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në bazë edhe të marrëveshjeve të bashkëpunimit midis dy institucioneve, ka kërkuar informacionin, nëse ka të dhëna të grumbulluara deri më tani, në lidhje me implikimin e ndonjë prej krerëve të policisë në ndonjë aktivitet kriminal. Burime zyrtare nga ministria e Brendshme thanë për gazetën “Shqiptarja.com”, se Tahiri i ka kërkuar kreut të SHISH-it nëse është e vërtetë që janë përgjuar strukturat policore dhe rezultatet e këtij hetimit.

Ministri ka kërkuar që të njihet me hetimin e SHISH rreth krerëve të policisë në vend. “Lidhur me publikimin në media të një qarkoreje nëpërmjet të cilës kërkohet verifikimi, grumbullimi, dhe madje edhe thellimi i informacionit mbi drejtuesit e policisë në qendër dhe në bazë, për implikimin në ndonjë veprimtari antiligjore, lutem për të shmangur ndonjë paqartësi, kërkoj konfirmimin tuaj zyrtar për ekzistencën e këtij urdhëri” thuhej në letrën e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri drejtuar zyrtarisht kreut të SHISH-it, Visho Ajazi.

Më tej, me anë të kësaj letre, Tahiri ka kërkuar informacionin e mbledhur deri në datën 4 dhjetor, siç shkruhet edhe në dokumentacionin e paraqitur nga media. Ministri ka mbyllur letrën me interesimin për kërkesën e bërë, në lidhje me informacionet e mbledhura nga SHISH në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Ndërkohë që deri në orët e mbrëmjes të së hënës, SHISH nuk i ka kthyer asnjë përgjigje ministrit të Brendshëm lidhur me letrën e tij.

PERGJIMET 
Më datë 2 dhjetor të vitit 2013, SHISH ka përpiluar një kërkesë operative urgjente, të cilën ua ka drejtuar drejtorive të Shërbimit Informativ në të gjitha prefekturat përfshi degët autonome. Nëpërmjet kësaj kërkesë, SHISH kërkonte informacion mbi persona të implikuar në veprimtari antiligjore të emëruar në Policinë e Shtetit.

Shkresa e Drejtorisë së Kundërzbulimit u kërkon degëve të shërbimit në të gjithë Shqipërinë, të “identifikojnë drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit në qarqe, më konkretisht, drejtori i Qarkut, shefi i rendit, shefi i krimeve, shefat e komisariateve, drejtori qarkullimit rrugor, ata të emigracionit dhe kufirit dhe specifikisht të identifikohen personat dhe pozicionet e tyre drejtuese të emëruar pranë policisë së qarqeve, kohët e fundit me të dhëna që i implikojnë në veprimtari antiligjore".

Shkresa tregonte se SHISH ka mundur të mbledhë më shumë informacion për secilin nga oficerët e Policisë së Shtetit. Lidhur me këtë shkresë të publikuar në media, ka reaguar ministri i Brendshëm i cili ka dërguar një letër zyrtare kreut të SHISH-it për t’u njohur me rezultatet e përgjimeve.
 
Shkrimi u publikua sot (04.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Izraeli bombardon Gazën veriore! 50 të vdekur mes tyre edhe 5 mjekë

Izraeli bombardon Gazën veriore! 50 të vdekur mes tyre edhe 5 mjekë