TIRANE-  Kryeministri Berisha ka deklaruar dje se kontaktin e parë me kompjuterin e ka marrë në zyrën e Sokol Hoxhës, djalit të ish-diktatorit Enver Hoxha. Madje e kishte përdorur emrin e tij për t'i shpëtuar problemeve e xhelozive që i kishte sjellë kompjuteri i parë që kishte pasur në zyrën e tij kur ishte mjek. Teksa mori pjesë në aktivitetin e iniciuar dhe organizuar nga Shoqata shqiptare e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (AITA), me tematikë "Rrëfim stafetë mbi zhvillimin e TIK në Shqipëri dhe ku është nderuar me "Mirënjohje për merita të dalluara" për Kristian Bukuroshi, kreu i qeverisë nuk i ka shpëtuar nostalgjive të asaj kohe.

 "Dua të them sot dy fjalë për zotin Kristian Bukuroshi. Unë e kam njohur atë që në vitet e jetës sime universitare. Unë kam njohur tek ai një akademik të përkushtuar, një akademik vizionar, një akademik, i cili së bashku me profesor Frashërin, me Gudarin, pra një grup i vogël, por që hodhi baza solide të kësaj dege", deklaroi dje Berisha. Për të cilin këta profesionistë kanë kapërcyer vështirësi të jashtëzakonshme. Berisha tha se ata kishin një institut në një periudhë që vetë ai kishte vetëm një kompjuter e imagjinohen vështirësitë e e tyre. "Kompjuteri im, në atë kohë, solli në zyrë ministrin, i cili erdhi i nxirë tek unë. Ishte një burrë shumë i mirë, profesor, kirurg, i cili më tha-"Sali ç'e deshe këtë?". Kjo, sepse në darkë Byroja Politike kishte diskutuar se si e mora unë këtë kompjuter. Dhe tani t'u tregoj sesi e kapërceva këtë problem", tha Berisha. I cili nënvizoi se kishte pyetur ministrin se kush e kishte thënë këtë duke marrë përgjigjen se ishte zv.kryeministri, për të cilin i kishte kërkuar një takim, gjë të cilën ai e kishte pranuar menjëherë. "Kur shkoj të takoj zv/kryeministrin ai më pyeti si e gjete ti këtë (kompjuterin)? Unë i përgjigjem-në katalog. Ai më thotë, por ai është mall amerikan dhe është i ndaluar. Atëherë unë i them se nuk ishte i ndaluar me ligjin shqiptar. Po nga re në gjurmët e tij?- më pyet ai. Atëherë unë i them se e gjeta në zyrën e Sokol Hoxhës, i cili ishte Drejtor i Albtelekomit dhe ai atëherë e mbylli gojën", tha Berisha.

Duke nënvizuar faktin se ai kishte treguar të vërtetën pasi kishte parë në zyrën e Sokol Hoxhës një kompjuter Apple 2 që ishin atëherë të vetmit kompjuter personal. Duke e cilësuar atë kohë si shumë të vështirë për profesionistët, Berisha është shprehur është vetë dëshmitar se ata kanë nxitur, kanë ndihmuar në çdo post, në çdo institucion që mund të sigurohej një kompjuter.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)