Sali Berisha ka dhënë një intervistë me deklarata e pohime të rënda sot pasdite në një televizion të Tiranës duke justifikuar vrasjen e 4 protestuesve të 21 janarit 2011 nga ana e Gardës së Republikës. Ai tha se “Garda duhet të qëllonte sepse ata qëlluan me gur kryeministrinë”. Ai zbuloi edhe një detaj tjetër që kishte qenë personalisht Berisha që i kishte komunikuar një të huaji, ndërmjetës me opozitën se “nëse Edi Rama do të afrohej të nesërmen e 21 janarit pranë kryeministrisë dhe nëse vetëm një gjethe do të prekej, 5 snajpera do ta qëllonin”.  Ai për herë të parë zbuloi emrin e diplomatit amerikan që po bëhej ndërmjetës mes Berishës dhe opozitës së Edi Ramës me 21 janar 2011. "Ishte Thomas Countryman me të cilin i përcolla mesazhin Ramës. A e keni dëgjuar bashkëshorten e tij të thotë poshte e lart se shërbimet sekrete i kishin thënë se Rama do të vritej, unë isha. I thashë diplomatit të huaj se po të lëvizte edhe një gjethe në territorin e kryeministrisë ai (Rama) do ta kishte në lule të ballit nga 5 snajperë", pohoi Sali Berisha për Ilva Taren. Countryman, atëherë diplomat në Shqipëri më pas do të merrte postin e ndihmës sekretarit të Shtetit në SHBA.

Deklarata e rëndë e ish-kryeministrit të vendit bëhen sot pas ngjarjeve të protestave në vend kur pas vrasjes së 25 vjecarit Klajdi Rasha nga një polic, dha dorëheqjen ministri Sandër Lleshaj.Ish-kryeministri Berisha përdori dy standarte në vlerësimin e policisë në qeverisjen e tij dhe të policisë sot. A janë deklaratat dhe pohimet e Sali Berishës material për drejtësinë për marrjen e tij në hetim si autor i ngjarjeve kaq të rënda si 21 janari 2011?