Kështu shprehet Sekretari për Aksionin Qytetar në PD, Ervin Salianji, i ftuar në studion e Report Tv.
Ai deklaroi se ishte organizimi efikas i PD-së që bëri të mungur zhvillimin e kësaj proteste paqësore ku nuk u shënua asnjë incident.
"E gjithë revolta e qytetarëve është mbajtur në kontroll nga Partia Demokratike, rrjedhojë e organizimit të saj. Pa organizimin e PD-së, Edi Rama nuk do ishte kaq i qetë në zyrën e tij", u shpreh Salianji.
I pyetur për skenarin në vazhdim të protestës së PD, Ervin Salianji tha se demokratët do qëndrojnë në çadrat përpara Kryeministrisë derisa Edi Rama të pranojë kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike.
Ai tha gjithashtu se një skenar proteste është edhe greva e urisë, vendim i cili do të merret në vijim.
Ndërkohë, i pyetur për mungesën e ish-numrit dy të Partisë Demokratike, Jozefina Topallit, Salianji theksoi se në protestën e opozitës morën pjesë 500 mijë qytetarë.
Z.Salianji, kur u mor vendimi për këtë protestë maratonë, në moment, kur foli z.Basha, apo ishte marrë më herët?
Ju e dinit që kryetari do merrte një vendim të madh. Masiviteti ishte një vendim i madh. Unë nuk kam parë protestë që të ketë pasur këtë numër të madh protestuesish. Në gjithë këto protesta kjo është protesta më e madhe e zhvilluar ndonjëherë. Kauza e opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, është fituar që në fillim.
Protesta ishte më e madhe se opozita, ishte më e madhe se PD. Ishte protestë e qytetarëve shqiptarë. Vendimi ishte i menduar nga PD. Ishte i vetmi mjet dhe mundësi që kishte opozita për t'iu kundërvënë këtij pushteti.
Qytetarët ndjehen të intimiduar për votën e tyre, kur banditët dhe kriminelët po dalin të pafajshëm nga burgjet. Ne e kemi paralajmëruar që po lirohen kriminelët nga burgu për të shantazhuar dhe kërcënuar votuesit. Kjo është një situatë e papranueshme, ashtu sikurse është e papranueshme për PD-në që të lejohet ripërsëritja e kanabisit në vend si vitin e kaluar.
Unë kam qenë vetë në disa parcela me kanabis dhe i kam thënë Policisë së Shtetit e Ministrisë së Brendshme, hajdeni se është në këtë zonë në Gusmar p.sh, vendlindja e ministrit të Brendshëm dhe nuk ka pasur asnjë ndërhyrje.
Cilat janë garancitë që tani që po vijnë zgjedhjet, Policia e Shtetit, bandat e liruara nga burgjet, do bëjnë të njëjtën gjë, do përdorin paratë e drogës për të blerë votuesit. Ky vendim është historik dhe do ta çlirojë Shqipërinë njëherë e mirë. Qytetarët shqiptarë meritojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Jemi dy muaj para zgjedhjeve dhe kjo qeveri nuk ka asnjë bilanc. Qëndrimi i PD është i qartë, zgjedhje me këtë sistem, të cilat diktohen dhe nuk japin zgjidhje, nuk shkon vota aty ku e çojnë qytetarët shqiptarë, nuk do të ketë. Do të ketë qeveri teknike për të përgatitur zgjedhjet. Kur krijohen tiranitë, krijohen edhe duke diktuar vullnetin e zgjedhësve. Dhe krijimi i tiranive çon vetëm në një fund, rrëzimin e tiranive.
Do të jetë grevë, apo greva është një opsion?
Do të jetë qëndresë e një lëvizje mbarëpopullore. Shqipëria do të shkojë drejt një situata ku nuk mund ta pranojë më që qytetarëve jo vetëm iu paraqiten kriminelë e njerëz me precedent të rëndë kriminal në zgjedhje, të cilët shoqëria i izolon në qelitë e izolimit, Edi Rama i ka futur në institucionet kushtetuese të këtij vendi, si në Parlament dhe institucionet e tjera, drejtoritë rajonale, drejtoritë e shërbimeve qeveritare. Do kërkojmë zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, reformë zgjedhore, nuk do të ketë zgjedhje pa kushtet e nevojshme. Sot është vetëm fillimi. Edi Rama sot është kryeministër i pakicës.
Si do të arrihet "qeveria teknike", si do negociohet, pasi e pranon apo jo mazhoranca...
Kjo s'është sipas dëshirës së kryeministrit. Po të jetë për kryeministrin, s'ka nevojë fare për zgjedhje, pasi ai për vete është më i mirë, është dielli...ne kemi propozuar një platformë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kemi propozuar që në prill të vitit të kaluar votimin dhe numërimin elektronik. Ne kemi kompani të cilat kanë eksperiencën e tyre në këtë proces të cilat e bëjnë të mundur implementimin në kaq kohë sa ka mbetur. Mundësitë janë, kapacitet janë, mungon vetëm vullneti.
Ju jeni nga ata të rinj që keni qenë shumë pranë z.Basha, por znj.Topalli nuk ka qenë e pranishme në protestë, Majlinda Bregu...
Unë di që marrja pjesë në protestë është zgjedhje e lirë. Nëse është në Bruksel paska një arsye të qenësishme për të mos marrë pjesë në protestë. Në gjithë këtë pjesëmarrje, në 500 mijë njerëz nuk e shoh me rëndësi kush ka ardhur e kush jo. Nuk besoj se ka njeri në këtë vend që është kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në 500 mijë njerëz askush nuk shquhet është apo jo në protestë. Protesta ka qenë pa diskutim e suksesshme dhe pasur kontributin e të gjithëve. PD ka bërë të mundur që të ketë këtë pjesëmarrje kaq të madhe. Dhe ky është një sukses i PD-së, pa e ndarë në emra të përveçëm.
Edi Rama ka transmetuar live në FB protestën dhe ka bërë edhe një koment, në 21 janar u vranë protestuesit...
Protesta e PD sot ishte e paqësore, ndryshe nga ajo e 21 janarit 2011. E gjithë revolta e qytetarëve është mbajtur në kontroll nga Partia Demokratike, rrjedhojë e organizimit të saj. Pa organizimin e PD-së, Edi Rama nuk do ishte kaq i qetë në zyrën e tij.
Greva e urisë, nëse vendoset do ishe i gatshëm të qëndroje në atë çadër?
Do ketë përpjekje të pandalshme deri sa të arrihet qëllimi i PD-së, për të realizuar këto kauza. Edhe greva e urisë mund të jetë një nga mundësitë për të arritur një qëllim që do t'i shërbejë qytetarëve. Kush vjen në protestë nuk i shërben PD-së, por Shqipërisë, për më shumë demokraci, më shumë prosperitet dhe zhvillim ekonomik. Ose Edi Rama do pranojë kushtet ose do kemi qeveri teknik për organizimin e zgjedhjeve.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com