FIER- Pas protestës së para tre ditëve kundër zaptimit të tokave bujqësore në Levan, 14 familje iu drejtuan sot Policisë së Fierit, ku depozituan një kallëzim kolektiv ndaj kompanisë “Bervi Construksion”, në pronësi të Afërdita Salillarit, bashkëshortes së Pëllumb Salillarit, e cila po investon në ndërtimin e një parku me panele diellore në zonë.

Fermerët thonë se këto toka i punojnë dhe i mbjellin prej 30 vitesh, duke qenë taksapagues të rregullt, ndërsa sipas tyre, prej një viti certifikata e pronësisë është lëshuar në favor të kompanisë private. Ata deklarojnë se disponojnë dokumentacion të ligjshëm, duke përfshirë AMTP-të sipas ligjit 7501, ku toka figuron në pronësi të fermerëve.

Paraditen e sotme, ata u paraqitën në komisariatin e Fierit për të dorëzuar kallëzimin, ku mësojmë se padia i ka kaluar për shqyrtim specialistëve të Krimit Ekonomik.

Fermeri Sandër Muja, pas denoncimit tha për mediat se “ne e kultivojmë këtë tokë prej tre dekadash dhe paguajmë rregullisht taksat. Disponojmë Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi prej 30 vitesh, ndërsa endemi prej vitesh në dyert e Kadastrës për t’u pajisur me certifikatë pronësie. Papritur mësojmë se pronësinë e tokave tona e ka marrë një kompani private. Kjo kompani ka ardhur me makineri të rënda dhe po hedh gurë mbi tokat tona të mbjella me grurë”. Ne nuk do të lejojmë të ndërtohen panelet diellore pa u hetuar kjo ccështje dhe pa marrë pronësinë e tokës që na takon me ligj”.

Bëhet fjalë për rreth 40 hektarë tokë arë që gjendet në fshatin Boccovë, të njësisë vendore Levan, e cila në kohën e diktaturës ishte pronë e ndërmarrjes bujqësore. Ndërsa pas viteve, 90-të kjo sipërfaqe, në bazë të ligjit 7501 u është shpërndarë 14 familjeve që jetojnë në këtë zonë.