Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla ka deklaruar në tryezën e dialogut mes qeverisë dhe biznesit eksportues se brenda vitit 2026 pritet të rritet kontrolli ushqimor dhe të vendosen stadarde përmes digjitalizimit cili do të mundësojë monitorim të vazhdueshëm.
Sipas Sallës, Bashkimi Evropian kërkon standarde për të hapur derën e tij.
“Në BE hapet dera vetëm kur kemi standarde, kontrolle, dokumentacion dhe produkt të sigurt. Aktualisht ne po punojmë në disa drejtime paralele me përafrim të legjislacionit me atë të BE-së me synim finalizimin e transpozimit ligjor deri në 2027-n dhe konsolidimit e kontrollit zyrtar në nivelin qendror dhe rajonal brenda 2026-s si dhe digjitalizimi i kontrollit ushqimor, i cili do të mundësojë monitorim të vazhdueshëm, standardizim të dhënash në kohë reale që i shërben njëkohësisht konsumatorit dhe eksportuesit”, tha Salla.
Ai vuri në dukje se do të ketë investime në rrjetin laboratorik dhe modernizim të laboratorëve si dhe forcimi i pikave të inspektimit kufitar në mënyërë që të rritet monitorimi dhe kontrolli ushqimor dhe më pas të lehtësojë edhe eksportin.
“Në këtë linjë investimet në rrjetin laboratorik, modernizimi i laboratorëve rajonalë dhe forcimi i pikave të inspektimit kufitar të cilat janë thelbësore për besueshmërinë e analizave dhe lehtësimin e procedurave të eksportit”, u shpreh Salla.
Ministri shtoi më tej se “synimi ynë në bujqësi është që eksportet bujqësore të shkojnë në 1 miliard dollarë deri në vitin 2030”.
“Prandaj përmes skemave kombëtare dhe së shpejti nëpërmjet IPARD-it ne do të mbështesim modernizimin e fermave dhe kapacitetet e përpunimit. Për vitin 2026 janë planifikuar 2 miliardë lekë investime me grante deri në 50 për qind të vlerës së investimeve, si dhe instrument financiar përmes fondit të garancisë sovrane për subjektet agropërpunuese”, theksoi Salla.
Lajmi kryesor:
Platforma Export On/ Rama: Prodhimet ‘Made in Albania’ pasaportë për në BE, në mbështetje të eksportuesve! Lehtësi me burokracinë e doganave










