TIRANE - Një Drumba në ujë dhe një Qatip që qan se udhëtimi mbaroi? Por mbi të gjitha një Salsano Rrapi që ka provuar për herë të parë rafting në kanionet e Osumit. Përvojë që e krahason me një dashurinë për një vajzë të bukur…
 
Pas sezonit të Portokallisë nuk u ndatë por sërish ishit bashkë këtë herë ndryshe në një “skenë” lumi.
“Nuk kish si të ndodhte ndryshe/Të ndodhte ndryshe s'kish se si/U desh të shkonim të bënim Rafting/Ta shijonim këtë mrekulli.../” Nuk kishte mbyllje më të bukur sezoni, se sa ky "spektakël" në kanionet e Osumit.

E meritonit skuadrën ku bëtë pjesë, “Gjakpirësit”?
Jo vetëm unë, por i gjithë grupi ynë e meritonte, duke filluar që nga Juvelta, që ishte kapitene, e deri tek Gaz Paja, Land Fusha e Arjan Gjici. E thënë ndryshe..... "Gjakpirësit" të merrnin gjak në vetull.

Në Portokalli jeni drejtues, ndërsa në skuadër kishit një kapitene…. Do ta kishit parapëlqyer një pozicion drejtuesi edhe në kanione? Si ishte rafting nën drejtimin e një femre?
Janë disa pozicione në jetë, që duhen patjetër të drejtohen nga femra që punët të shkojnë mbarë. Psh: Drejtuese skuadre në  rafting...Kryeministre.....(jo kryetare kuvendi(qesh) )...etj. Besoj e dhashe pergjigjen (qesh)

Ku ndryshojnë kolegët tuaj nga skena në rafting? Cfarë patë ndryshe tek ata gjatë udhëtimit?
Kot thonë për ne, artistë, ne të gjithë paskemi qenë sportistë, njëri më i fortë se tjetri. U desh Rafting Albania, që të kuptonim këtë gjë. Në qoftë se në skenë në bëjmë të tjerët të qeshin, këtu në rafting ne bëmë kolegët të qajnë (nga inati që ja kalonim me gomone)...

Kjo është hera e parë që ju bëni rafting?
Po, hera e parë dhe jo e fundit, jam i sigurtë për këtë.

Cfarë ndjesie ju jep kontakti me natyrën?
Ndjesia që të jepte natyra në kanionet e Osumit, ishte si të bëje dashuri me vajzën më të bukur në botë… (apo e ekzagjerova shumë) (qesh)

Si do të kishin reaguar personazhet tuaj, Drumbaja, Hekri Burgaxhiu, Gagaci,….  Shoku Qatip po të kishin qenë për rafting?
Drumban sigurisht që do e hidhnin nga gomonia... Hekri do "rrëmbente" një gomone që ta shiste këtej nga Tirana... Gagaci, patjetër drejtues grupi, që të jeptë komandat në kohën e duhur.... Qatipi do qante kështu: “Oiiii sa shpejt që mbaroj ky udhëtim i mrekullueshëm....”.

FESTIVALI KOMBËTAR I RAFTING

Garues 35 persona, 5 skuadra.
Skuadra fituese:
Vendi I: Skuadra Monologistët, kapitene Oriana Cama
Vendi II: Skuadra e Audicionistëve, kapiten Altin Basha
Vendi III: Skuadra e Gjakpirsave, kapitene Juvelta Duri
Çmimin special për krahun më t fuqishëm dhe shpirtin më të madh të skuadrës e fitoi Florian Binaj.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 31.05.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)