ATHINE- Të hënën më 17 qershor do të zhvillohet takimi vendimtar për të ardhmen e qeverisë së koalicionit grek mes kryeministrit Antonis Samaras dhe liderit të PASOKU-t dhe DIMAR-it. Lajmi është bërë i ditur përmes një deklarate zyrtare nga selia e kryministrisë greke.
 
Antonis Samaras, lideri i “Demokracia e Re”, dhe dy aleatët e tij, Evangelos Venizelos kreu i socialistëve të PASOKU-t dhe Fotis Kouvelis kreu i së “Majtës Demokratike”, do të takohen në orën 18:00 të datës 17 qershor, pikërisht një vit pas raundit të dytë të zgjedhjeve elektorale që rezultoi në formimin e ekzekutivit aktual.
 
Pas takimit midis tyre Venizelos dhe Kouvelis ftuan kryeministrin që të thërrasë mbledhjen e liderëve politikë, me qëllim që të diskutohet vendimi i shumëpërfolur të qeverisë për mbylljen e televizionit ERT.
 
Venizelos deklaroi se nuk ekziston asnjë grek që të mos dëshirojë stabilitetin politik dhe të mos ketë televizion publik.
 
Ndërsa Kuvelis nënvizoi se ERT-ja ka nevojë për ndryshime rrënjësore, por të mos mbyllet si institucion.
 
Të enjten Greqia u përfshi nga një grevë 24-orëshe të punonjësve të sektorit publik dhe privat kundër mbylljes së ERT-së .
 
Sindikatat greke e kanë quajtur këtë vendim të qeverisë si një lloj grusht-shteti dhe një sulm drejt lirisë së shtypit.
 
Analistët e politikës thonë se në këtë moment asgjë nuk mund të përjashtohet, madje as rreziku i zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Redaksia Online
(l.ç/e.s/shqiptarja.com)