Në kuadër të Samitit të IV-të të Diasporës, ministri Ferit Hoxha ka zhvilluar një takim në Tiranë me deputetin shqiptar në Parlamentin e Suedisë, Arbër Gashi, duke sjellë një tjetër moment simbolik të lidhjes mes Shqipërisë dhe shqiptarëve jashtë vendit.
Lajmin e bëri publik vetë ministri përmes një postimi në rrjetin social X, ku nuk kurseu vlerësimet për figurën e Gashit.
“Kënaqësi të takoja sot në Tiranë deputetin në Parlamentin e Suedisë, Arbër Gashi, në kuadër të Samitit të IV-të të Diasporës”, shkruan Hoxha.
Ai e cilëson Gashin si një histori suksesi dhe krenarie, një shembull tipik i diasporës që jo vetëm është integruar, por edhe ka arritur të jetë pjesë aktive në politikën e një vendi europian si Suedia.
“ Arbëri, bir i Drenicës, është një histori suksesi dhe një shembull krenarie. Është dëshmi e qartë se rrënjët tona mbeten të gjalla kudo që jetojnë #shqiptarët. Rrugëtimi dhe arritjet e tij tregojnë se identiteti ynë nuk humbet, përkundrazi, ai forcohet dhe pasurohet. Shembuj të tillë të diasporës, jo vetëm të mirëintegruar por edhe të fuqizuar e aktorë në vijën e parë, janë frymëzim konkret për të gjithë ne: për të forcuar lidhjet tona, për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe për ta çuar përpara emrin e Shqipërisë e shqiptarisë në botë, me dinjitet dhe besim. Është dëshmi e qartë se rrënjët tona mbeten të gjalla kudo që jetojnë shqiptarët”, theksoi ministri.
Sipas tij, rrugëtimi i Gashit tregon qartë se identiteti shqiptar nuk humbet me emigrimin, përkundrazi, forcohet dhe pasurohet me përvojat ndërkombëtare.
Hoxha nënvizon se figura të tilla janë frymëzim konkret për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe diasporës, duke çuar përpara emrin e vendit me dinjitet.
Lajmi kryesor:
‘Shqipëria një dhe e pandarë’, nis sot edicioni i katërt i samitit të Diasporës! Eurodeputeti shqiptar mesazh: Kurrë rrënjët e mia nuk i harroj











