Ekipet e shpëtimit në Kiev po nxitojnë të gjejnë njerëzit e bllokuar nën rrënojat e blloqeve të apartamenteve pjesërisht të shkatërruara, pasi të paktën 9 persona u vranë në valën e dytë të sulmeve të Rusisë ndaj kryeqytetit ukrainas brenda një jave.
Administratori kryesor ushtarak i Kievit, Timur Tkachenko, tha se 46 persona u plagosën, mes tyre të paktën pesë fëmijë. Sulmet ndodhën në prag të samitit të NATO-s në Turqi, ku pritet që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të zhvillojë bisedime me presidentin amerikan Donald Trump.
Disa orë përpara sulmeve të fundit, Zelensky paralajmëroi se Moska po përgatitej për një "sulm të dytë masiv" ndaj Kievit, pas sulmeve të së enjtes që lanë të vrarë 30 persona. Raketa balistike ruse goditën disa ndërtesa në të gjithë qytetin, tha kryetari i bashkisë Vitaly Klitschko, duke shtuar se në disa komplekse banimi shpërthyen zjarre.
Sipas kryebashkiakut, u dëmtuan gjithashtu magazina dhe një punishte. Rrënojat në Kiev janë ende në flakë dhe makinat e djegura janë të shpërndara nëpër qytet.
Të dielën, disa orë përpara sulmeve, Zelensky tha se të dhënat e inteligjencës tregonin se Kievi do të përballej me një valë të dytë sulmesh ruse brenda javës. Pas një breshërie sulmesh me dronë dhe raketa gjatë natës së së enjtes, dhjetëra mijëra banorë u evakuuan drejt stacioneve të metrosë në të gjithë qytetin, ndërsa alarmet binin në orët e para të mëngjesit të së premtes.
Ukraina akuzoi Moskën se kishte sulmuar qëllimisht zonat civile, në një sulm që shkaktoi rreth 30 viktima. Rusia tha se kishte shënjestruar baza ushtarake dhe objekte energjetike si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të fundit ukrainase mbi termocentrale dhe infrastrukturë energjetike në territorin rus. Sulme të tilla vazhduan edhe gjatë natës, duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike në qytetin e Sevastopolit, në Krimenë e pushtuar nga Rusia.
Përpara takimit të NATO-s, Zelensky u bëri thirrje aleatëve të mos i vonojnë furnizimet me raketa me rreze të gjatë veprimi që do të përdoren kundër Rusisë. Ai shkroi në X: "Çdo vonesë në furnizimin me raketa për mbrojtjen tonë ajrore... do të thotë humbje jetësh dhe e inkurajon Rusinë të vazhdojë luftën."
Zelensky u ka bërë gjithashtu thirrje Shteteve të Bashkuara t'i japin Ukrainës licenca për prodhimin e raketave mbrojtëse Patriot.
Komente






