Samiti në Varshavë, Ruçi: Zhvillim i qëndrueshëm dhe bashkëpunim rajonal

Samiti në Varshavë, Ruçi: Zhvillim i qëndrueshëm dhe bashkëpunim rajonal

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi në samitin e Varshavës

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka zhvilluar një takim në në Samitin e Kryetarëve të Parlamenteve të Evropës Qendrore e Lindore në Varshavë, si edhe në kremtimin e 550 vjetorit të parlamentarizmit në Poloni, në datat 12-13 korrik, i ftuar nga kryetari i Senatit dhe kryetari i Parlamentit të Polonisë.

Në samit, Ruçi shoqërohet nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Ruçi ka theksuar se Evropa Qendrore dhe Lindore  është një nga zonat ekonomike e politike më të rëndësishme të globit dhe  një thesar kulturor të njerëzimit, të cilin ne, banorët e tij, duhet ta ruajmë e pasurojmë.

Pjesë nga fjala e Ruçit në samitin e Varshavës:

Çështjet e agjendës së këtij sesioni janë themelore për zhvillimin e Evropës Qendrore e Lindore, për kontinentin e më gjerë.

Ky rajon përbën një ndër zonat ekonomike e politike më të rëndësishme të globit.

Ai përfaqëson një thesar kulturor të njerëzimit, të cilin ne, banorët e tij, duhet ta ruajmë e pasurojmë.

Ne, udhëheqësit dhe qytetarët e këtyre shoqërive, duhet të punojmë për shoqëri me më pak varfëri, më shume dije e ekonomi të dijes, marrëdhënie miqësore me mjedisin, zhvillim të qëndrueshëm e për të gjithë.

Gjatë tri dekadave të fundit, krahas valëve të demokratizimit, vendet tona janë përfshirë njëkohësisht në proceset e modernizimit, perëndimizimit dhe evropianizimit.

Para pak ditësh, Këshilli Evropian iu përgjigj pozitivisht rekomandimit të Komisionit Europian dhe përcaktoi rrugën drejt hapjes së negociatave të pranimit me Shqipërinë në qershor 2019.

Kjo është një ngjarje e rëndësishme, e cila vlerësoi përpjekjet tona drejt perspektivës evropiane.

Përfitoj nga ky rast të shpreh mirënjohjen e Kuvendit të Shqipërisë për parlamentet e Polonisë, Austrisë, Bullgarisë, Kroacisë, Republikës Çeke, Estonisë, Greqisë, Hungarisë, Letonisë, Lituanisë, Rumanisë dhe Sllovakisë, për mbështetjen që u dhanë qeverive të tyre për qëndrimin pro hapjes së negociatave me Shqipërinë.

Bashkëpunimi ndër-parlamentar duhet të bëhet promotori i përpjekjeve të vendeve tona për një mirëqenie e jetë cilësore, një shoqëri demokratike e paqësore dhe të ardhme të sigurt.

Diplomacia parlamentare është edhe një faktor demokratizimi. Sa më shumë parlamentet kombëtare kontribuojnë si faktorë bashkëpunimi, aq më mirë i përballojnë sfidat e pavarësisë së degëve të qeverisjes në shoqëritë përkatëse.

Bashkëpunimi aktual midis Qeverisë shqiptare dhe OKB-së është përqendruar në gjashtë fusha: integrimi evropian, qeverisja e mirë, demokracia dhe sundimi i ligjit, konkurueshmëria, kohezioni social dhe përdorimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore.

Disa nën komisione parlamentare dhe një komitet ndërministror monitorojnë zbatimin e Planit të Veprimit për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Shqipëria është vend pilot për Objektivin 16, i cili  synon angazhimin për një qeverisje te mire, gjithëpërfshirëse, forcimin e institucioneve demokratike etj.

Shqipëria ka ndërmarrë gjithashtu reforma të rëndësishme për fuqizimin e mirëqenies dhe kohezionit social, si reforma e pensioneve, tregut të punës, sistemit shëndetësor, arsimit të lartë, reforma territoriale, ristrukturimi i sektorit energjetik, lufta kundër informalitetit në ekonomi etj.

Vendi po rritet ekonomikisht me rreth 3-4 përqind në vit, duke rimodeluar zhvillimin ekonomik drejt hapjes së vendeve të punës, reduktimit të varfërisë dhe zgjerimit të shërbimeve publike, sociale e shëndetësore cilësore e të përballueshme. 

Rezultat i reformave është ulja e ndjeshme e papunësisë, e cila, për herë të parë pas vitit 1990, arriti 12.5 përqind. 

Varfëria e matur me fuqinë blerëse (5 dollarë në ditë) është përgjysmuar gjatë gjashtë viteve të fundit: nga 62.5 në 32.8 përqind.

Shqipëria po hedh hapa të rëndësishme drejt Mbulimit Shëndetësor Universal, i cili lidhet ngushtë me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Financimet për shërbimet shëndetësore po rriten, duke synuar ofrimin e shërbimeve cilësore, në kohë dhe të përballueshme për të gjithë.  Në vitin 2016, për herë të parë pas vitit 1990,  shpenzimet publike tejkaluan ato private dhe përballojnë mbi 55 përqind të shpenzimeve për shëndetin.

Objektivi ynë është që askush të mos bie në varfëri për shkak të shpenzimeve nga xhepi për shëndetin.

Seriozitetin me të cilin vendi im po punon për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm e tregon edhe fakti se Shqipëria është i vetmi vend nga rajoni që do të raportojë në Takimin e Nivelit të Lartë të Këshillit Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, gjatë datave 16-18 korrik,  për zbatimin e këtyre Objektivave.

Ne po punojmë dhe duhet të punojmë më shumë për zbutjen e asimetrive të zhvillimit në vendet tona.

Sidomos për ngushtimin e hendekut midis rritjes ekonomike dhe niveleve të pakënaqshme të mirëqenies, kënaqësisë dhe lumturisë së qytetarëve.

Kjo arrihet nëpërmjet zbutjes së pabarazive, zgjerimit të aksesit në shërbimet jetikë bazë, shërbimet publike, shërbimin shëndetësor dhe përmirësimin e edukimit.

Të nderuar kolegë,

Serbia dhe Kosova kanë nisur vitet e fundit dialogun për zgjidhjen e problemeve midis tyre, dialog te cilin Shqipëria e mbështet fuqimisht.

Prandaj, në përfundim të fjalës sime, dëshiroj t’i bëj thirrje këtij Samiti që të krijojmë bashkërisht një mjedis më gjithëpërfshirës, duke mundësuar pjesëmarrjen në këto nisma rajonale edhe të  Kosovës.

Kjo pjesëmarrje do te inkurajonte e mbështeste edhe dialogun Serbi-Kosovë dhe do ta bënte atë më produktiv.

Takimi i Ruçit në Varshavë: 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI