Samuele Sina dhe Sabah Kerjota ishin dy risitë e trajnerit Rolando Maran në listën me futbollistët e grumbulluar për ndeshjet që Kombëtarja do të luajë në shtator dhe tetor në Ligën e Kombeve. Po kush janë dhe cila është karriera e dy futbollistëve?

Samuele Sina deri vitin e kaluar ishte pjesë e ekipit kombëtar U-19, ndërsa ka kaluar menjëherë te Kombëtarja A pa luajtur me ekipin U-21. 19-vjeçari i lindur në Itali është pjesë e Union Brescia, që mban vendin e tretë në Serinë C italiane. Sina ka regjistruar dy gola të rëndësishëm në pesë javët e para të kampionatit, ndërsa është titullar i padiskutueshëm. Sina në fëmijëri ishte pjesë e akademisë së Interit.

Trajneri Maran la të kuptohet se në vazhdim mund të jetë opsion për ekipin U-21 ku deri tani nuk është ftuar. Kështu do të ishte pjesë e Europianit U-21 në edicionin e ardhshëm. Sina është preferuar para Bujar Pllanës dhe Enea Mihajt. Kështu tregohet edhe vlerësimi i Maran në risinë që solli. Po ashtu as Maldini Kacurri nuk është vlerësuar para Sinës.

Edhe për Sabah Kerjotën është ftesa e parë në Kombëtare. Trajneri Maran e ndoqi për herë të parë në fund të muajit gusht në një udhëtim në Skoci, ndërsa më pas i rezervoi ftesën. 25 vjeçari nga Shkodra është pjesë e Hearts, që sezonin e kaluar u shpall nënkampion i Skocisë.

Disa vite më parë ishte Partizani që nga Seria D në Itali tentoi ta afronte në Shqipëri. Pengesë u bë kontrata e Kerjotës, i cili edhe vendosi të vazhdonte karrierën jashtë vendit. Verën e kaluar ndërkohë ishte Hearts që shpenzoi 150 mijë euro te Sambenedetese. Sulmuesi shqiptar aktivizohet në krahun e djathtë dhe tashmë është risi e Rolando Maran.


Lajmi kryesor:

Mungojnë Broja, Bajrami e Asani! Befasi e risi të mëdha në listën e Maran: Gruda e Mehmeti? Janë me Kombëtaren ata që donin të vinin