Bashkimi Europian do të ngrejë një zyrë të posaçme për të koordinuar zbatimin e sanksioneve ekonomike dhe për të parandaluar shmangien e tyre, me synimin për të rritur efektivitetin e masave kundër Rusisë. Një zëdhënës i Komisionit Europian bëri të ditur se presidentja Ursula von der Leyen ka vendosur krijimin e Zyrës së BE-së për Sanksionet, e cila do të funksionojë brenda Komisionit Europian dhe do të ndihmojë vendet anëtare me udhëzime, shkëmbim të dhënash dhe analiza ekonomike e teknike.
Komisioni përshëndeti gjithashtu raportin e Gjykatës Europiane të Audituesve, sipas të cilit sanksionet tregtare dhe masat kundër shmangies së tyre kanë ulur ndjeshëm tregtinë mes BE-së dhe Rusisë, veçanërisht për mallrat që i nevojiten ushtrisë ruse.
Komisionerja europiane për Shërbimet Financiare, Maria Luís Albuquerque, deklaroi se duhet të vazhdohet në këtë drejtim. “Sanksione më të forta, zbatim i qëndrueshëm dhe kontrolle më të rrepta do të mbajnë të lartë presionin dhe do të ndihmojnë në krijimin e kushteve për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Mesazhi ynë është i qartë: Europa mbetet e bashkuar, e vendosur dhe e palëkundur në mbështetjen e saj për Ukrainën”, tha ajo.
Lajmi kryesor:
Negociatat për paqen në Ukrainë, Zelensky: Bisedimet në Abu Dhabi konstruktive, lirimi i të burgosurve prioritet! Rubio: Ka ende shumë punë për të bërë! Lavrov kundër armëpushimit të kërkuar nga BE






