/AFP-ATSH/ - Presidenti i entitetit të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, i cili ka minimizuar shpesh rëndësinë e gjenocidit të myslimanëve të Bosnjës në Srebrenicë, u prit sot në memorialin e kësaj masakre të kryer nga forcat serbo-boshnjake, në fund të luftës ndërkomunitare të viteve 1992-1995.
I shoqëruar nga kryebashkiaku mysliman i Srebrenicës, Kamil Durakoviç, Dodik, vendosi një kurorë me lule para një monumenti në varrezën ku prehen mijëra viktima të masakrës së kryer nga forcat serbe të Bosnjës në korrik të vitit 1995.
"Është e vërtetë që një krim është kryer këtu dhe shpreh keqardhje për të gjithë viktimat", theksoi Dodik, cituar ng ashtypi lokal.
"Por, është fakt gjithashtu se këto ngjarje janë shumë të politizuara", shtoi ai.
Rreth 8 000 burra e djem myslimanë u vranë në enklavën e Srebrenicës, pak para përfundimit të luftës ndërkomunitare të Bosnjës (1992-1995). Bëhet fjalë për një ndër vrasjet më të rënda masive në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore, një masakër e cilësuar nga drejtësia ndërkombëtare si gjenocid./