Kryesocialisti ftoi qytetarët e Sarandës dhe gjithë Shqipërisë që të votojnë Partinë Socialiste, pasi kështu sipas tij do t’i japin fund rrënimit, papunësisë, pasigurisë dhe varfërisë..
Rama tha se vota për PS, “do të pushojë nga puna kryeministrin, do hapë vende punë për qytetarët dhe do sjellë rilindjen”.
“Doktori është kthyer në kasap të punësimit, kasap të rrugëve, në kasap të ëndrrave të shqiptarëve. Dhe ne zotohemi që çfarë themi ta bëjmë. Saliu tani është në Kavajë, nuk e di çfarë do ju thotë sot, por di se çfarë ju tha herën e kaluar “ju keni bërë shumë për PD, jo rrugën për në det, por do ju sjell detin në Kavajë”. Por sot deti është atje ku është. Di që Kavaja ashtu si gjithë Shqipëria do marrë vendimin për të pushuar nga puna, këtë kryeministër që la gjithë Shqipërinë pa punë”, tha Rama.
Më tej, kreu i PS, tha se forca politike që ai drejton do të punojë për shërbim shëndetësor falas për qytetarët dhe për një arsimin cilësor.
“Do punojmë për të ndërtuar arsimin e duhur, dhe jo si sot ku ata që s’kanë shkollë japin mësim, dhe ata që shkojnë për mësim mbeten pa shkollë. Ne do jemi përsëri, e përsëri në 4 vitet që vijnë, për të bërë realitet ëndrrën e rilindjes shqiptare”, theksoi Rama.
Duke u ndalur tek përpjekjet për Shqipërinë europiane, kryesocialisti tha se “PS do punojë për ta ndërtuar Shqipërinë europiane në koston e ulët të prodhimit dhe çmimet e arsyeshme për të gjithë ata shqiptarë që vazhdojnë dridhen kur shkojnë në pazar sepse nuk përballojnë dot çmimin e bukës, qumështit, frutave për fëmijët”.
RAMA: VOTA PER PS, ESHTE VOTE PER PUNESIMIN
Kreu i PS, Edi Rama, tha para qytetarëve të Sarandës, se forca politike që ai drejton ka një program të qartë për Sarandën.
“Vota për PD është një votë për të mbajtur në punë Saliun, por për të lënë pa punë qindra të tjerë, ndërsa vota për PS është për pushuar nga puna kreun e qeverisë, gjyshin me antiplumb, dhe për t’i hapur rrugë punësimit”, tha Rama.
Rama tha se programi i Rilindjes, do t’i mundësojë zhvillim biznesit, bujqësisë, dhe do të rrisë punësimin.
“Do t’i hapim rrugë taksimit të ndershëm. Do të ndalim rrugën e rrënimit ku shërbimet merren sipas xhepit, dhe do t’i hapim rrugën marrjes së shërbimit sipas nevojës. Po kështu do t’i hapim rrugën zhvillimit të ekonomisë, bujqësisë dhe prodhimit të ushqimeve cilësore dhe me çmim të arsyeshëm për popullin”, tha Rama.
Duke iu drejtuar qytetarëve të Sarandës, kreu i PS, tha se duhet të zgjidhet alternativa më e drejtë, që i siguron qytetarëve shërbime sipas nevojës.
“Në 23 qershor të mos shkojmë në zgjedhje për teserën e partisë që kemi në xhep, por për ti dhënë fund një qeverie që po na rrënon, një qeverie që nuk garanton sigurinë. Në 23 qershor ka një zgjedhje shumë të qartë për të bërë, midis përrallave që tregon nga mëngjesi një gjysh i veshur me antiplumb, dhe me 2000 roje, dhe qoi mbledh të gjithë rrogëtarët e shtetit si ti kishte robër, dhe nga ana tjetër është alternativa e PS që mbledh me dëshirë qytetarët që duan mundësi, liri sovrane, shtet. Ne nuk kemi ardhur këtu për t’i treguar përralla”, theksoi kreu i PS-së.
RAMA: MOS SHKONI VETEM NE KUTINE E VOTIMIT, MERRNI NJE MIK
Kreu i Partisë Socialiste u ka kërkuar qytetarëve të Sarandës që të mos shkojnë vetëm në kutinë ë votimit, por të marrin dhe dike tjetër me vete për t’i dhënë peshë votës së 23 qershorit.
“Në 23 qershor mos shkoni vetëm në kutinë e votimit, por të merrni me vetëm një familjar, një shok një mik, që nuk ka shkuar deri atëherë tek kutia e votimit, dhe ta bindi se vota vlen, se vota është fuqia e ndëshkimit për ata që kanë shkelur kontratën me popullit, dhe hapjes së rrugës për të provuar të tjerët, për të vënë në provë opozitën që sot vjen përpara popullit për të vënë në jetë programin e rilindjes, vjen me një skuadër që është e gatshme ta bëjë realitet programin e rilindjes, vjen me vullnetin për ta bërë Shqipërinë europiane, jo në ligjet që nuk zbatohet, por në realitet”, u shpreh Rama.
KOKEDHIMA: DOKTORI TE MOS BEJE FALLXHORIN TIM
Gjatë prezantimit të kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 23 qershorit në Sarandë, kandidati Koço Kokëdhima tha se “Saranda është lënë pas dore nga kjo qeveri”.
“Do ta ftoj doktorin të mos merret me predikimin e të ardhmes time, të mos bëjë fallxhorin tim. Por t’i tregojë qytetarëve pse dështoi të rrisë punësimin, të pasurojë popullin. Pse dështoi t’i japë qytetarëve siguri dhe shpresë. Për këto duhet të japë siguri ai, për këto e paguan populli, jo për të bërë fallxhorin e fateve elektorale të miqve të mi”, tha Kokëdhima.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)