Megjithëse janë pronarë të tokave në Kakome, një pjesë e banorëve të Nivicës nuk mund ti shfrytëzojnë pronat e tyre, pasi shprehen se ato gjenden brenda rrethimit të vendosur nga kompania Riviera Kakome dhe se policia private e cila ruan këtë rrethim nuk i lejon. Banorët e Nivicës kanë tentuar përsëri të shkojnë në pronat e tyre, por ndonëse janë të pajisur me certifikatat mbi pronësinë e tokave të tyre, ata nuk janë lejuar.

Kryetari i fshatit Nivicë shprehet se ende vazhdojmë të besojmë në ligjet e shtetit dhe presim zbatimin e ligjit dhe vendimeve të gjykatave, pasi kompania Riviera Kakome megjithëse pretendon pronësinë në 29 hektarë, ata kanë rrethuar 110. Banoret e Nivicës shprehen se një problem tjetër me të cilin përballen është se Hipoteka e Sarandës nuk po bën regjistrimin e pronës së tyre, pavarësisht se ata kanë gjithë dokumentacionin e duhur. Prej disa muajsh ata kanë aplikuar dhe kanë bërë pagesat e kërkuara në hipotekë dhe megjithëse afati për hipotekimin ka muaj që ka kaluar, ata shprehen çuditërisht hipoteka e Sarandës nuk u ka kthyer asnjë përgjigje.

Kjo ka bërë që banorët të dyshojnë se kjo është pjesë e lojës së kompanisë Riviera Kakome për të gllabëruar edhe pronat e mbetura në Kakome. Banoret e Nivicës kanë prej vitesh që përballen me problemin e tokave në Kakome dhe ende ky problem nuk është zgjidhur. Ata shprehen se këtë betejë do ta vazhdojnë pasi kjo është toka e tyre brez pas brezi... 

Kërkojmë nga drejtësia të na japë pronat tona. Kemi dokumente dhe vendimet e gjykatës. Hipoteka nuk po kthen asnjë përgjigje. Firma Riviera, Ruan Leka, këtu nuk merret vesh kush e ka. Kjo prona ka qenë e jona që nga koha e Turqisë, ka 13 vite që ka ardhur një zotëri me forcë, me policë të shtetit, ngarkojnë makina me hashash dhe kalojnë këtu. Unë kam një tapi të ligjit të sotëm. Këtë tokë e kam ndarë unë dhe e di me sy mbyllur se ku e kanë të gjithë, në bazë të rregullave të shtetit

Banorët në Kakome