Një nga tregtarët i tha Bashës se në katër muaj kishte bërë vetëm 50 mijë lekë xhiro, ndërsa të tjerë ankohen për dhunë që policia ushtron ndaj tyre kur shesin prodhimet e shtëpisë, për të mbajtur frymën gjallë. Për më të varfrit nuk ka asnjë vëmendje nga qeveria apo bashkia, të cilët detyrohen që dhe ilaçet t’i marrin me listë.
"Kam që në janar e deri më sot unë s’kam bërë 50 mijë lekë", u shpreh një tregtare.
"Korrenti dhe ilaçet gjithë pensioni edhe shiringat i blej me lekë. Shiko se çdo hajë burri tashi?! Dy domate kam t’i bëj një sallatë, bën tre herë në ditë antibiotikë", u shpreh një tregtar tjetër.
"Për të gjitha familjet në asistencë ekonomike, familjet me pension invaliditeti, familjet në ndihmë ekonomike, energjinë (deri 200 kw), ilaçet dhe ujin do t’i paguajë shteti", tha Basha.
Mungesa e investimeve ishte një tjetër shqetësim i tregtarëve.
"Kam marrë tre herë në telefon bashkinë dhe nuk më është përgjigjur asnjëherë. Çfarë po bëhet? Kanë vënë një kukull në bashki?! Ka mbi një vit që është zgjedhur dhe nuk e njohim se kush është. Rrugë, ujë, drita asgjë më tepër nuk kërkojmë", tha një prej përfaqësuesve të biznesit në Sarandë.
Kreu demokrat tha se programi i opozitës parashikon taksa të ulëta për ekonominë shqiptare, si e vetmja rrugë për rimëkëmbjen e ekonomisë.
"Rruga tjetër është kjo që po shikoni, po futet në gropë sepse taksat e larta ia marrin paranë nga xhepi konsumatorit, mbyllin biznesin, mbyllin vendet e punës", tha Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte dhe në familjen e Tahire Izetit, 77- vjeç. Ajo ka muaj që përplaset në dyert e OSHEE-së, për shkak se i kanë dërguar një faturë, detyrim të prapambetur të 2011-ës prej 380 mijë lekësh. Zonja Izeti tregon librezën, ku të gjitha detyrimet rezultojnë të paguara.
Në bashkëbisedim me banorët e Sarandës lideri i opozitës ka theksuar gjithashtu se korrupsioni është plaga më e madhe e shoqërisë e cila i merr 2 milionë lekë çdo familje.
Duke shpalosur platformën, Basha shprehu bindjen se me ofertën e Partisë Demokratike vendi do të dalë nga kriza: “Do ta bëjmë këtë me taksat më të ulëta në histori, me 9% taksë të sheshtë, 15% TVSH. Dhe taksat që mblidhen nuk do të shkojnë për palma. Taksat që mblidhen nuk do të shkojnë për Vilma Nushin, për Koço Kokëdhimën, për Ilir Beqën. Taksat do të kthehen në investime publike dhe investime publike që hapin vende pune, që hapin fronte pune".
Çelësi i daljes nga kjo situate janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, për të cilat mesazhi i komunitetit ndërkombëtarë nga SHBA dhe BE është i qartë dhe për të cilat mbështetja do të jetë e gjithanshme, tha zoti Basha.
“Mesazhi që do të dëgjojë deri ditën e fundit është: Të mos guxojë të prekë më votën e shqiptarëve e t’i lërë shqiptarët të votojnë të lirë e të ndershëm për qeverisjen e tyre. Për një drejtësi që dënon korrupsionin dhe krimin e nuk e mbron atë. Kjo është reforma në drejtësi dhe dihet mirë që kush i ka lidhjet me krimin. Dihet mirë që kush ka bërë korrupsion këto vite me shuma që i mungojnë sot qytetarëve shqiptarë. Dhe prandaj nuk paguajnë dot pensione më të larta, nuk ka paga më të larta, nuk ka shëndetësi të standardit të mirë por shëndetësi që bie çdo ditë e më shumë në batak, nuk ka vende pune sepse paratë janë nisur të gjithë në Panama. Në parajsat fiskale ku fshehin paratë qeveritarët e korruptuar shqiptarë dhe këtë e tha dje Departamenti i Shtetit, e tha pardje Freedom House, e thonë ditë për ditë e javë për javë investitorët e huaj dhe e ndjejnë shqiptarët në lëkurën e tyre. Ne do ta nxjerrim Shqipërinë nga recensioni. Ne do t’i japim shqiptarëve një ekonomi të fortë që prodhon, që punon dhe që punon për mirëqenien e shqiptarëve dhe jo një grushti qeveritarësh”, tha më tej kreu demokrat.
Redaksia Online
Shqiptarja.com