Qyteti i Sarandës është përmbytur nga vërshimi i ujërave mesditën e sotme

Siç duket edhe nga pamjet e siguruara nga Report Tv, ujërat vërshojnë në lagjet e qytetit bregdetar.

Nga pamjet e Report Tv, ujërat kanë shpërthyer në lagjen 1 të Sarandës mbi plazhin publik. Gjithashtu nga pamjet vihen re edhe pushuesit që largohen nga plazhi, për shkak të baltës që është krijuar. Siç bëhet me dije është çarë tubacioni i ujit të pijshëm.

Për momentin punonjësit e ujësjellës-kanalizimit janë në vendin ku është çarë tubacioni dhe kanë ndërprerë furnizimin. Ndërkohë po vijon puna për riparimin e këtij defekti.

Furnizimi me ujë të pijshëm është ndërprerë, por ky nuk është problem pasi qyteti nuk ka ujë 24 orë dhe banorët e përballojnë furnizimin me ujë nëpërmjet depozitave.

Sakaq, gjatë ditës së sotme ka pasur ndërprerje të energjisë edhe në Sarandë, ashtu si në gjithë vendin, por ka zgjatur 30 minuta. Aktualisht nuk ka probleme me furnizimin.

Në një sezon veror dhe në një ditë kaq të nxehtë, ka pasur shqetësim. Edhe shërbimet janë detyruar të ndërpriten edhe prej mungesës së ajrit të kondicionuar. Deri tani nuk ka raportime për dëme, në banesa apo në pajisje elektroshtëpiake.