Blegtorët e zonës së Gjirokastrës Sarandës dhe Delvinës janë grumbulluar ditën e sotme  për të protestuar në urën e Gajdarit, në hyrje të Sarandës. Protesta e sotme është vazhdim i protestave të zhvilluara përgjatë muajit të fundit mbi situatën ku ndodhen blegtorët.

Ndër kërkesat e blegtorëve janë ‘barazim i subvencioneve njëjtë me vendet e rajonit’, certifikim i produkteve të mishit ‘made in Albania’ dhe subvencionimin për çdo kokë bagëti pavarësisht numrit që kanë fermerët.

“Ne kërkojmë të ndërhyjë në treg sepse shteti është ai që e rregullon, duam që qumështi të bëhet 200 lekë dhe subvencionet të shkojnë deri në 25 mijë lekë. Unë kam 3 djem, të tre merren me blegtori. Në rast se ky shtet ka vendosur ta shuajë blegtorinë, djemtë do ikin në Gjermani dhe unë ngelem vetëm. Kërkojmë ndërhyrjen e shtetit në treg, të ngrihet çmimi i qumështit”- tha njëri prej blegtorëve.

Ai shtoi gjithashtu se mungon etiketa për mishin e huaj që hyn në Shqipëri, duke bërë që të shitet si mish vendas.  

“Gjithashtu, pse duhet të hyjë mishi i jashtëm këtu, të shitet si mish bio ndërkohë që ne këtu e marrim nga barinjtë. Ne duam që mishi që vjen të vijë me etiketë që tregon vendin nga vjen”- shtoi ai.