/ATSH-AFP/ - Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schauble pranoi sot se nuk ishte i sigurt nëse buxheti federal gjerman do të mund të ekuilibrohej vitin e ardhshëm, gjë që mbetet në objektivat kryesore pavarësisht miliardave të shpenzuara për imigrantët.
"Ne dëshirojmë të arrijmë këtë objektiv, pa marrë borxhe të tjera nëse është e mundur", deklaroi ministri konservator para një kongresi të prodhuesve të makinerive-të punës në Berlin.
Gjermania, arriti vitin e kaluar, për herë të parë që prej vitit 1969, ekuilibrimin e buxhetit federal. Objektivi i qeverisë së Angela Merkelit është që ky ekuilibër që konservatorët kishin premtuar për zgjedhësit, të bëhet rregull.
Por Shteti Federal po përballet me miliarda euro shpenzime, që nuk kishte parashikuar ndërkohë që Gjermania pret këtë vit një milionë azilkërkues.