S’do jetë e lehtë që Biden ta zhbëjë dëmin që i ka shkaktuar Putin Amerikës

S’do jetë e lehtë që Biden ta zhbëjë dëmin që i ka shkaktuar Putin Amerikës

Vladimir Putin dhe Joe Biden

Ndërsa presidenti amerikan Joe Biden dhe ai rus Vladimir Putin zhvilluan samitin e tyre të parë në Gjenevë, që të dy kishin me gjasë në mendje të kaluarën e afërt. Putini kishte një fitore të jashtëzakonshme për të festuar, ndërsa Biden është i dëshpëruar ta nxjerrë SHBA-në nga bataku ku e futi paraardhësi i tij.

Lideri rus po sheh që projekti i tij i minimit të demokracisë perëndimore, po ecën përpara me ritëm (për të mos përmendur faktin që ai ka të ngjarë të jetë president i përjetshëm i Rusisë), ndërsa ai amerikan ka përpara një detyrë të vështirë.

Problemi me të cilin përballet Biden u bë i qartë gjatë një konferencës për shtyp pas samiti të së mërkurës. Duke iu referuar ndërhyrjeve të Rusisë në zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA, Biden u tha gazetarëve:”Unë ia bëra të qartë, se ne nuk do të tolerojmë asnjë përpjekje për të shkelur sovranitetin tonë demokratik, apo për të destabilizuar zgjedhjet tona demokratike”.

Por, kur Biden u pyet se cilat do të jenë pasojat mbi Rusinë, ai mundi të renditë vetëm disa sanksione relativisht modeste diplomatike, që tashmë janë provuar. Në vend të kësaj, ai u përpoq të theksojë koston e reputacionit të dëmtuar të Rusisë.

“Kjo e zvogëlon pozitën e një vendi, që dëshiron të shihet si një fuqi botërore”- tha Biden. Një deklaratë që me siguri nuk mund ta ketë trembur dhe aq shumë Putin. Me pak fjalë, Putin ka marrë tashmë atë që dëshironte, dhe mbetet e paqartë se çfarë mund të bëjë në këtë pikë Biden.

Administrata e tij ka qenë e kujdesshme të theksojë, se nuk po kërkon një “rivendosje” gjithëpërfshirëse të marrëdhënieve me Rusinë, pasi njëri president pas tjetrit e ka thënë këtë, dhe janë penduar më pas kur gjërat nuk kanë ndryshuar shumë.

Por sigurisht që Biden dëshiron një rivendosje më të madhe, atë të riparimit dëmit të shkaktuar nga presidenca e Donald Trump, në të cilin Putini luajti natyrisht një rol kryesor. Biden është tani presidenti i dytë demokrat, fitorja zgjedhore e të cilit solli një psherëtimë lehtësimi nga aleatët tanë në të gjithë botën.

Siç e tregojnë të dhënat e kohëve të fundit nga një sondazh i Peë Research Center në Gjermani, Francë, Kanada, Britani, Japoni dhe vendet e tjera, ka pasur një rritje të madhe të përqindjes së njerëzve që kanë besim tek presidenti i ri i SHBA-së “se do të bëjë gjënë e duhur në lidhje me çështjet botërore”, një rritje prej 70 pikësh.

Dhe ky është një lajm i mirë për Biden. Ndër të tjera, kjo do të thotë se ai do të jetë më i aftë të punojë në mënyrë aktive me udhëheqësit e këtyre vendeve. Por ai përballet me një problem:Në një moment kur tendenca afatgjatë në të gjithë botën drejt demokratizimit ka treguar shenja përmbysjeje, Shtetet e Bashkuara janë më pak të afta se më parë për të vepruar si një shembull për vendet që mund të shkojnë përpara drejt lirisë, apo të kthehen pas drejt autoritarizmit.

Dhe kjo e fundit është ajo që ka dashur Putin prej kohësh. Një nga projektet e tij kryesore të politikës së jashtme, ka qenë të minojë vetë idenë e demokracisë, në mënyrë që ai të ketë mundësi t’u thotë njerëzve të tij dhe aleatëve të mundshëm se demokracia është një mashtrim, një kaos, dhe jo diçka të cilën duhet ta aspirojë çdo vend.

Dhe në funksion të këtij qëllimi, ndihma që ai i dha Trumpit në vitin 2016, ishte një sukses spektakolar në politikën e jashtme. Për një investim modest, disa hakera, disa reklama në 'Facebook', dhe një program në terren për ndihmësit dhe anëtarët e familjes së Trump, ai ndihmoi në zhvillimin e zgjedhjeve në SHBA, dhe shkaktoi një transformim në politikën amerikane.

Dhe shihni ku jemi sot. Ndërsa Biden mund të kishte dashur që ne të shkëputeshim nga epoka Trump si të ishte një ëndërr e keqe, efektet e tij nuk mund të lihen kaq lehtë pas shpatullave. Kur Putin sheh Shtetet e Bashkuara, ai vëren se njëra nga dy partitë tona të mëdha e ka pranuar idenë – që është në thelbin e filozofisë politike të Putinit – se autoritarizmi është më i preferuar se sa demokracia.

Kur ai i ndihmë Trumpit në vitin 2016, ishte më pak e mundshme që ai të priste lëshime politike nga Trump, se sa që vetë Trump të ishte një faktor i kaosit, që do të diskreditonte Shtetet e Bashkuara dhe sistemin e saj politik në sytë e botës.

Dhe sot në Partinë Republikane mendohet se zgjedhjet janë demokratike dhe të ligjshme, vetëm nëse fitojnë republikanët. Kjo mund të ketë qenë një pikëpamje e zakonshme brenda partisë edhe më parë, por tani është absolutisht thelbësore në axhendën e saj të përshkallëzuar për të përjashtuar votues nga lista, dhe deri tek sulmet ndaj zyrtarëve të zgjedhjeve.

Jo vetëm kaq, tani tek kjo parti ka një propagande të hapur pro-ruse përmes anëtarëve republikanë të Kongresit dhe një aparati mediatik konservator që ka vendosur t’i përdorë argumentet e Kremlinit dhe lavdërimet ndaj Putinin si mjete të përshtatshme dhe efektive kundër armikut të vërtetë, demokratëve.

Sigurisht, Partia Republikane nuk është monolite në këtë çështje; shumë anëtarë të saj favorizojnë një linjë të ashpër ndaj Rusisë. Por kjo nuk është asgjë e re. I ri është niveli i jashtëzakonshëm i brohoritjeve për Rusinë dhe Putinin, që dëgjon rregullisht nga republikanët konservatorë.

Tani kombinojeni këtë me mënyrën se si çdo palë zgjedhje në SHBA në të ardhmen e afërt, do të jetë subjekt i mosmarrëveshjeve, proceseve gjyqësore, protestave dhe mbase dhunës së hapur. Putini nuk mund të ishte më i lumtur për gjendjen e demokracisë amerikane.

Imagjinoni sa do jetë gëzuar ai kur pa një turmë pro-Trump të pushtonte Capitol Hill.

Ju mendoni se demokracia perëndimore është kaq madhështore? Pa shiheni pak çfarë po ndodh, do të thoshte ai. Dhe kjo na sjell tek një rezultat tjetër nga ai sondazhit të Peë.

Në të 16 vendet e anketuara, një mesatare prej vetëm 17 për qind e njerëzve, thanë se demokracia amerikane është një shembull i mirë për t’u ndjekur nga vendet e tjera.

Ndërkohë 57 për qind thanë që demokracia jonë ishte dikur një shembull i mirë, por jo vitet e fundit.

Mjerisht, është e vështirë që t’i kundërshtosh ata. Dhe kjo është një nga sfidat e shumta me të cilat ballafaqohet Biden:Është në interesin e Shteteve të Bashkuara të shohin më shumë vende që lëvizin drejt demokracisë liberale, por ne duhet t’i tregojmë botës pse duhet ta ndjekë rrugën tonë.

Me gjithë të mirat që solli zgjedhja e Biden në riparimin e imazhit të Amerikës, kauza e demokracisë është ende më e vështirë për t’u mbrojtur se më parë. Tamam ashtu siç ka shpresuar gjithmonë Putin./ The Washington Post

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Presidentja Osmani: NATO mbetet aleat i pazëvendësueshëm, anëtarësimi prioritet strategjik për Kosovën

Presidentja Osmani: NATO mbetet aleat i pazëvendësueshëm, anëtarësimi prioritet strategjik për Kosovën