Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se nuk do t’u këshillonte sot fëmijëve të tij të studionin apo të punonin në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se Amerika nuk është më “vendi i mundësive” si dikur.
Deklarata e fortë e liderit gjerman vjen në një moment tensioni të hapur mes Berlinit dhe Donald Trump, pas përplasjeve për luftën në Iran, Ukrainën dhe marrëdhëniet tregtare mes SHBA dhe Europës.
“Jam një admirues i madh i Amerikës. Për momentin admirimi im nuk po rritet. Sot nuk do t’i këshilloja fëmijët e mi të shkonin në SHBA për t’u arsimuar apo për të punuar, sepse atje është krijuar papritur një klimë e caktuar sociale”, tha Merz gjatë një konference me të rinj katolikë në Würzburg.
Sipas kancelarit gjerman, polarizimi politik dhe social në SHBA ka arritur nivele shqetësuese, ndërsa edhe njerëzit më të arsimuar po e kanë gjithnjë e më të vështirë të gjejnë punë.
“Sot edhe njerëzit më të mirëarsimuar në Amerikë e kanë shumë të vështirë të gjejnë një vend pune”, tha Merz.
Komentet e 70 vjeçarit, baba i 3 fëmijëve, shkaktuan reagim të menjëhershëm nga kampi i Donald Trump. Richard Grenell, ish-ambasador i SHBA në Gjermani dhe një nga aleatët më të afërt të Trump, e sulmoi Merz në rrjetet sociale duke thënë se kancelari gjerman është bërë “presidenti europian i shoqërisë anti-Trump”.
Grenell ironizoi edhe qëndrimin e Merz gjatë takimeve me Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se kancelari kishte qenë “i butë dhe komplimentues”, ndërsa tani po përdor një gjuhë krejt tjetër.
“Gjermanët kanë një lider pa strategji, që kontrollohet plotësisht nga media woke gjermane”, deklaroi ai.
Edhe liderja e ekstremit të djathtë gjerman, Alice Weidel, reagoi ndaj deklaratave të kancelarit.
“Merz paralajmëron kundër udhëtimit në SHBA për shkak të klimës politike, ndërkohë që vetë po e çon Gjermaninë drejt rrënimit social dhe ekonomik”, shkroi ajo.
Marrëdhëniet mes Berlinit dhe Uashingtonit janë tensionuar ndjeshëm muajt e fundit. Merz ka kritikuar hapur administratën Trump për mënyrën si po menaxhon konfliktin me Iranin, madje deklaroi se SHBA po “poshtërohet” nga Teherani në këtë krizë.
Pak ditë pas këtyre deklaratave, Uashingtoni njoftoi tërheqjen e pjesshme të trupave amerikane nga Gjermania dhe vendosjen e tarifave më të larta për makinat europiane — një goditje direkte për ekonominë gjermane.
Aktualisht SHBA ka rreth 36 mijë trupa ushtarake në Gjermani. Megjithatë, pavarësisht përplasjeve, Merz ka deklaruar se nuk heq dorë nga marrëdhënia transatlantike me SHBA.
Të premten ai bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me Donald Trump, ku diskutuan për Iranin, Ukrainën dhe samitin e ardhshëm të NATO-s.
“SHBA dhe Gjermania janë partnerë të fortë në një NATO të fortë”, shkroi kancelari gjerman në rrjetin X.
Komente








