TIRANË - Superliga shqiptare e futbollit është në fundin e sezonit të rregullt, teksa kanë mbetur edhe dy sfida për të mësuar verdiktet finale, veç titullit të kampionit (do të zhvillohet mini-turneu 'Final 4'). Të mërkurën në orën 16:00 në fushë do të zbresin dhjetë skuadra, me pesë ndeshje që mpleksin mes tyre jo vetëm interesa sportive, por edhe ekonomike, politike e miqësore.

Pas skandalit të aleancave që u pa qartë në shumicën e ndeshjeve të raundit të 34-t, skuadrat do të zhvillojnë raundin e radhës në mesjavë. Në 'Selman Stërmasi' do të luhet 'Klasikja' e futbollit shqiptar mes KF Tiranës dhe Vllaznisë. Vendasit janë në garë për të mbijetuar, ndërsa Vllaznia e ka siguruar një vend në 'Final 4' dhe ka dy humbje radhazi.

Në prag të këtij dueli jetik për bardheblutë, trajneri Orges Shehi iu shmang pyetjes për aleancat, ndërsa kërkon që ekipi i tij të flasë në fushë. Shehi tha se ende nuk e di nëse Redon Xhixha do jetë gati për Tiranën, me sulmuesin që vuan një lëndim.

"Fundi vjen dhe jo në moment të mirë, përballë nesër kemi një kundërshtar që do respekt për historinë, por edhe për renditjen në të cilën është. Jemi munduar të rikuperojmë lojtarët nga ndonjë dëmtimi që doli nga ndeshja e fundit. Dihet vlerësimi, përqëndrimi sepse edhe 2 ndeshje kanë mbetur, ideja është të vazhdojmë me të njëjtin ritëm që e kemi lënë.

Renditja? Klasifikimi tregon që shumë skuadra janë në valle, katër skuadra me pikë të barabarta, por edhe një skuadër që ka bërë një ecuri të mirë siç është Flamurtari. Kjo e rrit shkallën e vështirësisë, por ne do shohim punën tonë dhe nuk do të merremi fare me kundërshtarin, duke qenë të përqëndruar në këtë vazhdimësi dhe shpresoj që edhe nesër të jemi në këtë rrugë dhe atëherë do shohim kundërshtarët.

Pas dy ndeshjeve të para kundër Vllaznisë dhe Elbasanit, ne menduam se meritonim diçka më shumë. Një pikë nga ajo që dhamë në fushë, por ashtu siç marrim ne pikë, edhe kundërshtarët tanë fitojnë, një gabim nuk mund të falet se e tillë është renditja. Nuk kam nevojë të thërras tifozë sepse ata kanë qenë gjithmonë pranë nesh dhe të shumtë në numër dhe jam i sigurtë se nesër do të jenë në stadium për ta mbështetur skuadrën pasi janë një armë shumë e fortë dhe nuk kanë nevojë për thirrjen time.

Llogaritë? Kur fillojmë bëjmë llogaritë gjithmonë na dalin gabim, se kështu thamë edhe kur fituam derbin, edhe kur fituam me Teutën, por kur shohim që kundërshtarët kanë fituar, kjo distancë ka mbetur kështu siç është. Përqëndrimi është vetëm tek sfida jonë, pastaj do të shohim të tjerat, aq më pak fakti që luajmë në të njëjtin orar, do të pyesim dhe shpresojmë që kundërshtarët të ndalen. Nuk kam asnjë interes dhe dëshirë të komentoj skuadrat e tjera, merrem vetëm me timen.

Aleancat në fund të kampionatit? Mendoj që kemi bërë ndeshje shumë të vështira dhe kemi pasur përballë kundërshtarë me cilësi dhe objektiva, kështu që aleanca jonë e vetme është vetëm performaca jonë e mirë dhe shpresoj që fusha të flasë për ne nesër.

Dëmtimet? Sot do të marrim konfirmimin përfundimtar për Xhixhën, dje dhe pardje nuk është stërvitur, sot do të shohim, do të jetë pjesë e skuadrës, por nuk e di nëse do ta nisë apo jo ndeshjen nga fillimi. Këtë do ta shohin mjekët e skuadrës”, tha për mediet trajneri i Tiranës, Orges Shehi.

Pas javës së 34-t janë katër skuadra që kanë nga 38 pikë dhe garojnë për mbijetesën, ndërsa ndjek Flamurtari. Teuta, Tirana, Vora dhe Bylis duket se do garojnë me 'fotofinish' për të shpëtuar sezonin. Ndërkohë AF Elbasani, Vllaznia dhe Egnatia e kanë siguruar një vend në 'Final 4', mini-turneun që do të zhvillohet në fund të sezonit të rregullt dhe do të përcaktojë skuadrën kampione të Shqipërisë për këtë edicion. Dinamo dhe Partizani janë në garë për një biletë.

Superliga, raundi 35-të:

E mërkurë, 05 maj 2026 - 16:00

Bylis - AF Elbasani

Dinamo - Vora

Egnatia - Partizani

Flamurtari - Teuta

KF Tirana - Vllaznia

Renditja: