Një postim në rrjetin X nga Katie Miller, bashkëshortja e një prej këshilltarëve më të afërt të presidentit Donald Trump, ka rindezur tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Danimarkës.

Vetëm disa orë pas operacionit amerikan në Venezuelë që çoi në kapjen e presidentit Nicolás Maduro, Katie Miller publikoi një imazh të Groenlandës të mbuluar me flamurin amerikan, të shoqëruar me mbishkrimin “Së shpejti Groenlanda”. Postimi, i bërë pa asnjë shpjegim shtesë, nxiti reagim të menjëhershëm nga autoritetet daneze në këtë klimë të tensionuar politike ndërkombëtare.

Reagimi erdhi edhe në kontekstin e deklaratave të fundit nga Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, i cili një ditë më parë theksoi publikisht se “kur Trump thotë se do të bëjë diçka, ai e ka seriozisht”. Vetë presidenti amerikan ka deklaruar në disa raste se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë strategjike për Groenlandën.

Në një intervistë për revistën The Atlantic, Trump u shpreh se u takon të tjerëve të nxjerrin konkluzione mbi lidhjen mes operacionit në Venezuelë dhe Groenlandës, duke shtuar se SHBA “ka nevojë absolute” për ishullin për arsye mbrojtjeje.

“Marco ishte shumë bujar me mua dje. Nuk po flisja për Groenlandën, por ne kemi absolutisht nevojë për të. Groenlanda na duhet për mbrojtjen,” tha Trump.

Nga ana tjetër, ambasadori i Danimarkës në Uashington reagoi publikisht, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Danimarkës janë aleatë të ngushtë dhe se Groenlanda është pjesë e NATO-s. Ai nënvizoi se Kopenhaga pret respekt të plotë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Mbretërisë së Danimarkës.

Edhe kryeministrja daneze Mette Frederiksen iu përgjigj ashpër kësaj deklarate duke u shprehur se 'Shtetet e Bashkuara nuk kanë të drejtë të aneksojnë asnjë territor nën kontrollin danez'.

"Është koha që Shtetet e Bashkuara t'u japin fund kërcënimeve të tyre kundër një aleati historik dhe kundër një vendi dhe një populli që e ka thënë, shumë qartë, se nuk është në shitje", tha Frederiksen.

Katie Miller është një figurë e njohur në qarqet konservatore amerikane dhe bashkëshorte e Stephen Miller, një nga arkitektët kryesorë të politikave të emigracionit të Trump gjatë mandatit të tij të parë. Pikërisht për këtë arsye, postimi i saj është interpretuar si politikisht i ndjeshëm, edhe pse deri tani nuk ka pasur një qëndrim zyrtar nga Shtëpia e Bardhë.

Groenlanda është territor autonom nën sovranitetin e Danimarkës dhe ka një rëndësi të veçantë strategjike në Arktik, për shkak të pozicionit gjeografik, pranisë ushtarake amerikane dhe rolit të saj në sigurinë e NATO-s. Qeveria daneze ka rritur ndjeshëm investimet në mbrojtjen e Arktikut dhe Atlantikut Verior.

Në vitin 2019, Donald Trump kishte deklaruar publikisht interesin e SHBA-së për blerjen e Groenlandës, një ide që u refuzua kategorikisht nga Danimarka dhe që çoi atëherë në përplasje diplomatike, përfshirë edhe anulimin e një vizite zyrtare të Trump në Kopenhagë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:36
Trump tha se i duhet Groenlanda për arsye sigurie, reagon ashpër kryeministrja daneze: Mjaft me kërcënime

Foto: Donald Trump dhe Mette Frederiksen

Tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Danimarkës për ‘fatin’ e Groenlandës janë përshkallëzuar sërish.

Një ditë pas operacionit  të SHBA në Venezuelë që çoi në arrestimin e Nicolas Maduro, Donald Trump deklaroi se vendi i tij "ka nevojë për Groenlandën" - një deklaratë që shkaktoi një përgjigje të ashpër nga kryeministrja daneze Mette Frederiksen.

"Duhet ta them shumë sinqerisht: Shtetet e Bashkuara nuk kanë të drejtë" të aneksojnë asnjë territor nën kontrollin danez .Nuk ka kuptim që Shtetet e Bashkuara të flasin për nevojën për të marrë kontrollin e Groenlandës.

Ne kemi një marrëveshje mbrojtjeje me SHBA-në që u garanton atyre akses në Groenlandë. Dhe ne kemi investuar ndjeshëm në rritjen e mbrojtjes në Arktik. Është koha që Shtetet e Bashkuara t'u japin fund kërcënimeve të tyre kundër një aleati historik dhe kundër një vendi dhe një populli që e ka thënë, shumë qartë, se nuk është në shitje", tha ajo.