Seanca maratonë, Kuvendi miraton Kodin Zgjedhor dhe 22 vendime të tjera para pushimeve! Basha: E çojmë në Kushtetuese! Jo rritje pagash për GJK

Pas një seance maratonë dy ditore, Kuvendi mbylli punimet për këtë sesion parlamentar Përpara se të merrnin pushimet, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste shfrytëzuan seancën e fundit parlamentare për të miratuar me 106 vota pro ndryshimet në Kodin Zgjedhor për listat, votën e diasporës dhe heqjen e pragut kombëtar për kandidatët e pavarur, ndryshime që erdhën pas një pakti të beftë mes tyre.

Nga radhët e opozitës, vetëm 30 deputetë votuan pro, ndërsa kartonin e kuq në mesin e 140 deputetëve e ngritën vetëm Enkelejd Alibeaj dhe Dashnor Sula. Shumë deputetë të opozitës nuk votuan edhe pse ishin të pranishëm në sallë, mes të cilëve krerët e partive të vogla, Fatmir Mediu, Dashamir Shehi apo Agron Duka.

Votimit, i parapriu një debat i gjatë, veçanërisht për mbyllje e 1/3 të listave, ku shumë deputetë kritikuan se përmes kësaj formule do të dërgohen në parlament vetëm servilët e kryetarëve.

‘U munduam për të realizuar një reformë gjithëpërfshirëse, ku shumë prej jush ishit pjesë madje me të drejta të plota në tryezë por nuk sollët asgjë konkrete, vetëm propozime që forconin pozitën tuaj politike, ose mbijetesë ose në kurriz të grupimeve të ndryshme politike që përfaqësoni në opozitë. Kjo është puna juaj e ne nuk bëhemi palë, por ne ofrojmë si maxhorancë gatishmërinë për kompromis politik në të mirë të Shqipërisë e mbështetje që zgjedhjet e radhës të jenë më të mira.’- tha Gjiknuri.

“Turp turp turp… ! E shkatërruar këtë vend, vrafshi veten. A e dini që nuk do të kemi më listë zgjedhore, por do të kemi 4 lista zgjedhore. Ajka Edi Rama, Ajka Sali Berisha e lista tjetër pas është ajo e servilëve, e lëpirësve e burrave e grave që fatkeqësisht nuk do të jenë më burra por gra" tha deputeti demokrat Dash Sula, i cili votoi kundër. 

"Mbyllja e listave nuk është 25% por është 80 – 90%. Nuk është ajo që thoni ju në zgjedhjet e kaluara ka qenë më shumë se 60% e përbërjes së kuvendit që do të ndryshonte nëse do të ishin lista të hapura. Analizoni subject për subject aritmetikën mësoni si ta bëni" tha Mediu.

"Nëse ishit dashnor të listave të hapura hiqni dorë nga mandati dhe lini vendin atyre që morën më shumë vota. Secili prej nesh ka patur deputetë poshtë listave e që kanë marrë më shumë vota. Cilido dashnor i votës ka mundësi të kandidojë si kandidat i pavarur të marrë vota dhe të vijë në këtë sallë' tha Bardhi.

"Me këtë sistem 40 veta së paku do të zgjidhen me votën e drejtëpërdrejtë të shqiptarëve, pa asnjë prag. Mjafton një votë më shumë. Do të garojnë për të fituar shumicën e këtyre 40 vendeve" tha Oerd Bylykbashi. 

Lulzim Basha edhe pse ishte një nga zërat më të ashpër kundër këtyre ndryshimeve që sipas tij mbyllin më shumë listat dhe lënë në pushtet Edi Ramën, la sallën në momentin kur ligji do të votohej në tërësi. Pa kaluar shumë orë, njoftoi përmes një deklarate urgjente se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Ekipi i juristëve tanë po vlerëson anti-kushtetueshmërinë  e aktit të djeshëm e po përgatit dërgimin e dosjes së Gjykatën Kushtetuese”, tha Basha.

Në seancën maratonë që përmbylli punimet e këtij sesioni, veç kodit zgjedhor u miratuan një sërë ligjesh të tjera. Mes 23 ligjesh, 10 projektvendimeve dhe 16 rezolutave, u miratua ligji për policinë e shtetit, ai për prodhimin e armëve si dhe u miratua raporti i socialistëve për Komisionin Hetimor për rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS.  Palët nuk gjetën dakordësi për pagat e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilat do të mbeten të pandryshuara.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë