Teksa po afrohet seanca konstituive e 9 shtatorit, LDK dhe PDK kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Kuvend, duke rritur pritshmëritë për zhbllokimin e procesit të ngritjes së institucioneve qw mbahet peng edhe nga ccwshtja e zgjedhjes sw presidentit.
Lidhja Demokratike e Kosovës mblodhi sot grupin e saj parlamentar ku vendosi pwr tw marrw pjesw nw vazhdimin e seancws konstituive me synimin e vetwm për të kontribuar në krijimin e institucioneve.
“Vendosëm që të marrim pjesë në seancë dhe të japim kontributin tonë për t’i dhënë Kosovës institucione”, tha deputetja Jehona Lushaku-Sadriu.
Ajo sqaroi se gjatë mbledhjes nuk është diskutuar për zgjedhjen e presidentit të Kosovës dhe mohoi se ka pasur ndryshim të qëndrimit të LDK-së për këtë çështje.
“Çështja e presidentit absolutisht nuk është diskutuar sepse nuk është temë. Temë është seanca dhe konstituimi i Kuvendit të Kosovës”, deklaroi Lushaku-Sadriu.
Pjesëmarrjen në seancën e 9 shtatorit e konfirmoi edhe Partia Demokratike e Kosovës. Kryetari i saj, Bedri Hamza, tha se Kuvendi duhet të konstituohet para 16 shtatorit, kur pritet vendimi përfundimtar i Dhomave të Specializuara në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ne jemi të bindur që në këtë kohë, Kosova ka nevojë që të ketë Kuvend të konstituuar. Ne presim që të festojmë në Kosovë, presim që ata të kthehen”, tha Hamza.
Ai u bëri thirrje deputetëve që në seancën e së mërkurës të shmangin, sipas tij, lojërat politike dhe të mundësojnë konstituimin e Kuvendit.
“PDK do të jetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Vazhdimisht kemi kërkuar, kemi konstatuar me të drejtë, e kemi faktuar që ka shkelje të Kushtetutës, të Rregullores së Punës së Kuvendit, ka shkelje të vendimit të Gjykatës Supreme”, tha Hamza
Vazhdimi i seancës u caktua nga kryesuesi Avni Dehari, pothuajse një muaj pas përpjekjes së parë për konstituimin e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit. Dehari tha se vendimin e mori pasi ishte arritur një marrëveshje e brishtë politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidatin për president, megjithëse pranoi se ende nuk kishte qartësi nëse ekzistonte numri i nevojshëm i votave për konstituimin e institucioneve.
Megjithatë, kjo marrëveshje hasi shpejt në vështirësi, pasi gjashtë deputetë të LDK-së kundërshtuan kandidaturën e Bekim Sejdiut për president, duke deklaruar se nuk do ta mbështesnin. Deklarata e sotme e LDK-së se çështja e presidentit nuk është diskutuar tregon se kjo mbetet ende pika kryesore e ngërçit politik para seancës së 9 shtatorit.







Komente
Komento