PRISHTINË, 23 Dhjetor/ATSH/.- Ish-presidenti i Republikës së Kosovës dhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu, vendosi kurorë lulesh dhe bëri homazhe pranë varrit të presidentit historik të Kosovës dhe kryetarit të LDK-së, Ibrahim Rugova, si dhe vizitoi Shtëpinë e Pavarësisë, vendin ku u themelua LDK-ja 25 vjet më parë.
Sipas KosovaPress, Sejdiu vlerësoi se "vizioni i presidentit Rugova asnjëherë nuk do të plaket, sepse ai si lider vizionar e ka ditur se çfarë duhet të bëjnë shqiptarët dhe Kosova".
"Roli dhe lidershipi i presidentit Rugova dhe i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, është i pazëvendësueshëm dhe me domethënie të madhe historike për Kosovën dhe shqiptarët", ka thënë Sejdiu.
Duke përkujtuar se themelimi i LDK-së, para 25 vitesh, kishte për synim Kosovën shtet të pavarur e sovran, të integruar në strukturat euroatlantike dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish-presidenti theksoi se "sot të gjithë jemi dëshmitar të realizimit të misionit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Kryetarit të saj, Dr. Ibrahim Rugova, për një shtet të lirë dhe të pavarur". "Sot LDK duhet të jetë e përgjegjshme siç ishte gjithnjë, sa herë që kërkohej nga LDK-ja, që t'u printe proceseve të rëndësisë së veçantë, për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj", tha ai.
Ish-presidenti Sejdiu vizitoi edhe Shtëpinë e Pavarësisë, vendin ku u vendosën themelet e LDK-së më 23 dhjetor 1989.
Duke evokuar ditën e Kuvendit themelues në të cilin ishte edhe vetë pjesëmarrës para 25 vitesh, ish-Presidenti Sejdiu ka theksuar: "Më 23 dhjetor 1989, në këtë vend, u mbajt kuvendi themelues i LDK-së. Para njëzet e pesë vitesh, pikërisht këtu nisi projekti madhor politik, me qëllim lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës. Normalisht, në kohë jo të lehta për Kosovën dhe për qytetarët e saj, megjithatë sot duhet t'u jemi falënderues të gjithë atyre, që punuan dhe kontribuan në ndërtimin dhe zhvillimin e këtij projekti madhor nën lidershipin vizionar të Presidentit Rugova".
"Brenda mureve të kësaj shtëpie, që tashmë është shndërruar në muze, gjenden fakte që dëshmojnë kontributin e çmueshëm të gjithë atyre, që kontribuuan në ndërtimin dhe zhvillimin e këtij projekti, për themelimin e LDK-së, për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe sovrane. Kjo shtëpi, me një hapësirë kaq të ngushtë, është vendi ku është bërë puna e madhe, për themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, për bërjen e shtetit të Kosovës", tha Sejdiu./m.m/












