Sejfulla Shtëpani: Ministri i
Arsimit po politizon zgjedhjet

Sejfulla Shtëpani: Ministri i<br />Arsimit po politizon zgjedhjet
TIRANE- Në universitetin e sporteve në Tiranë "beteja" për postet drejtuese ka pezulluar edhe vetë zgjedhjet. Shkak është bërë pika 7.10 e rregullores së zgjedhjeve, e miratuar në bazë të ligjit të arsimit të lartë, nga senati akademik i këtij universiteti, por që nuk ka marrë firmën e kreut të senatit, që është njëkohësisht edhe rektori i universitetit, Vejsel Rizvanolli. Ish-rektori i këtij universiteti, Sejfulla Shtëpani, (Ne foto)në një intervistë për "Shqiptarja.com", thotë se ministri i Arsimit Myqerem Tafaj po ndërhyn në autonominë e universitetit dhe po shkel ligjin e arsimit të lartë.

Profesor, çfarë po ndodh me procesin e zgjedhjeve në universitetin tuaj?
Ata janë pezulluar nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Shkak për këtë vendim, është bërë pika 7.10 e rregullores, e miratuar me shumicë votash në senatin akademik, ashtu siç edhe përcakton ligji. Kjo pikë përcakton se "Nuk mund të kandidojnë për organe drejtuese dhe autoritet drejtues në UST, personat për shkak të daljes në pension në UST, nuk mund të plotësojnë mandatin 4-vjeçar".

Sipas jush, a ka të drejtë ministria e Arsimit të marrë një vendim të tillë?
Jo! Ministria e Arsimit, me këtë vendim, po tregon se i ka politizuar zgjedhjet në universitete dhe po mundohet t'i japë një dorë kandidatit të saj. Kjo rregullore, e përsëris edhe njëherë, është miratuar në senatin akademik, dhe këtu nuk ka fare të drejtë të ndërhyjë ministria e Arsimit. Ajo me këtë veprim po cënon autonominë e universitetit.

Çfarë kërkon ministria e Arsimit?
Pas ankesës së rektorit, Vejsel Rizvanolli, i cili mbush moshën e pensionit gjatë mandatit të dytë, ministria e Arsimit na ka nisur një shkresë ku na kërkon ta heqim kufizimin e moshës për të kandiduar për një post drejtues në universitetet.

Po senati akademik a ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë?
Unë jam vetë anëtar i senatit akademik, dhe kjo rregullore është miratuar me shumicë votash. Ndaj ne nuk kemi ndërmend të ndryshojmë rregullat vetëm se nuk i shkojnë për shtat një personi.

Po çfarë do të ndodhë me zgjedhjet në universitetin tuaj?
Ligji parashikon që kush ankesa mund t'i drejtohet gjykatës, zgjedhjet zhvillohen dhe është gjykata ajo që vendos nëse ata janë legjitime, apo jo. Ligji është i qartë.

A ka nisur fushata, a janë shpallur kandidaturat për postet drejtuese në universitetin tuaj?
Sigurisht që jo. Gjithçka në universitetin tonë është bllokuar nga ministria e Arsimit dhe Shkencës, pa të drejtë.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

 Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset