Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi takimin e parë zyrtar me ambasadorin e Japonisë në Tiranë, Makoto Ito. Takimi mes dy zyrtarëve të lartë u zhvillua në ambientet e Bankës së Shqipërisë, ku u diskutua për marrëdhëniet mes dy vendeve. 

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko i shprehu vlerësimet e tij Ambasadorit të Japonisë në Tiranë, Makoto Ito, për marrëdhëniet mjaft të mira midis dy vendeve, si dhe biseduan rreth perspektivave potenciale të bashkëpunimit ekonomik për të ardhmen në fusha si shkëmbimet tregtare, zhvillimi i teknologjisë së informacionit, infrastruktura, etj.

Më tej, takimi vijoi me bisedime lidhur me panoramën ekonomike të vendit, ku Guvernatori Sejko u ndal ne performancën pozitive të deritanishme të rritjes ekonomike, e cila parashikohet të vijojë e tillë edhe në të ardhmen. “Në këtë kontekst, - tha ai - edhe politika monetare lehtësuese e ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë ka dhënë kontributin e saj, duke ndikuar në zhvillimin ekonomik, qëndrueshmërinë e çmimeve të konsumit dhe stabilitetin financiar të vendit”.

Diskutimet dypalëshe u ndalën në zhvillimet e reformave strukturore në vend, ku Guvernatori Sejko theksoi se vazhdimi e thellimi i mëtejshëm i tyre, mbetet i një rëndësie të veçantë për të përmirësuar klimën e biznesit dhe thithjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Në këtë drejtim, u nënvizua se tregu i gjerë dhe efikas i punës në vend mund të shfrytëzohet si një tjetër faktor i rëndësishëm për tërheqjen e tyre.

Ambasadori i Japonisë në Tiranë, SH.T.Z. Makoto Ito, falënderoi Guvernatorin Gent Sejko për këtë takim dhe shprehu vlerësimet e tij për kontributin e rëndësishëm që Banka e Shqipërisë jep në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit. Ambasadori i Japonisë në Tiranë shtoi se Shqipëria si një faktor stabiliteti në rajon kontribuon në ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit politik dhe ekonomik të tij.

Në përfundim të takimit, bashkëbiseduesit u shprehën se tashmë Shqipëria ndodhet në rrugën e duhur për procesin e integrimit evropian, ku një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe Banka e Shqipërisë nëpërmjet kontributit të saj në përafrimin e kuadrit rregullator, me direktivat dhe standardet e Bashkimit Evropian.

Redaksia Online
D.Ç./Shqiptarja.com