Sejko: Tërmeti ndikim negativ në ekonomi, rrezikon realizimin e objektivit të rritjes

Sejko: Tërmeti ndikim negativ në ekonomi, rrezikon realizimin e objektivit të rritjes

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha sot pasojat e tërmetit pritet të jetë në tërësi negative, ndonëse ato do të jenë të përqendruara në një zonë të kufizuar gjeografike dhe jo të njëjta në sektorët e ekonomisë

Në terma të përgjithshme, Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se, edhe në prani të pasojave të tërmetit të datës 26 nëntor ky kuadër projeksionesh mbetet i vlefshëm për afatin e mesëm. Megjithatë, këto pasoja janë në shumicën e tyre negative dhe mund të diktojnë një vonesë kohore në kthimin e ekonomisë në ekuilibër dhe të inflacionit në objektiv.

Ai tha se, kanalet kryesore të transmetimit do të jenë tkurrja e mundshme e konsumit dhe investimeve private në zonat e prekura, si dhe rënia e mundshme e prodhimit në to – sidomos në sektorin e turizmit. Nga ana tjetër, programi i ri-ndërtimit pritet ti japë një stimul pozitiv këtij sektori. Intensiteti i goditjeve dhe shkalla e kompensimit të tyre nga programi i ri-ndërtimit do përcaktojnë dhe efektin tërësor të tërmetit në ekonomi.

Guvernatori tha se, efekti i tërmetit do të varet dhe nga forma dhe intensiteti i përgjigjes. Këshilli Mbikëqyrës vëren se adresimi me shpejtësi i dëmeve do të lehtësonte ndikimin e tyre në ekonomi. Po ashtu, ndikim do të ketë dhe struktura e financimit të këtij programi rindërtimi dhe pesha relative e granteve dhe donacioneve, rritjes së huamarrjes, dhe ri-alokimit të shpenzimeve.

Banka e Shqipërisë është në proces të vlerësimit të pasojave të tërmetit në treguesit e sektorit bankar. Për këtë arsye, ne kemi kërkuar informacionin e nevojshëm pranë bankave dhe jemi në pritje të vlerësimeve paraprake, tha Sejko.

Ai tha se, në veçanti, rëndësi ka evidentimi i dëmeve në kapacitetet prodhuese të biznesit, qofshin këta operatorë të sektorit të turizmit apo të sektorëve të tjerë të ekonomisë, për të vlerësuar kostot e rindërtimit dhe të ardhurat e mundshme të munguara në ekonomi.

Guvernatori tha se, informacioni i disponueshëm nuk dikton nevojën për ndryshim të qëndrimit të politikës monetare. Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se përmbushja e objektivit të stabilitetit të çmimeve dhe mbështetja e rritjes ekonomike e bëjnë të nevojshme ndjekjen e një politike monetare stimuluese.

Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës vëren se vlerësimi i plotë i pasojave ekonomike të tërmetit kërkon ende kohë. Ky vlerësim do ti hapë rrugë rishikimit të parashikimeve tona afatmesme dhe gjykimit mbi politikën monetare që do të ndjekim në të ardhmen.

Të dhënat e disponuara tregojnë se inflacioni i tremujorit të katërt ka qëndruar në nivele pothuajse të njëjta me ato të tremujorit paraardhës. Luhatjet e inflacionit janë diktuar në masën më të madhe nga luhatjet e çmimeve të ushqimeve, të cilat vijojnë të japin dhe kontributin kryesor në inflacion.

Në planin makroekonomik, ecuria e çmimeve vijon të reflektojë presionet e ulëta inflacioniste që vijnë nga ekonomia e huaj edhe ajo vendase. Rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare është e ngadaltë, ndërsa përcjellja e saj në tregun vendas është frenuar dhe më tej nga forcimi i kursit të këmbimit gjatë vitit 2018. Po ashtu, rritja e kërkesës agregate, e punësimit dhe e pagave në Shqipëri, nuk është përkthyer ende në presione inflacioniste të mjaftueshme për kthimin e inflacionit në objektiv.

Të dhënat e tërthorta të disponuara sugjerojnë se rritja ekonomike e tremujorit të tretë ka qenë në nivele të përafërta më atë të tremujorit paraardhës. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik duket se është mbështetur nga rritja e konsumit dhe investimeve private dhe, në veçanti, nga zgjerimi i të ardhurave të turizmit.

Ecuria e ekonomisë është pasqyruar dhe në të dhënat e tregut të punës për tremujorin e tretë, të cilat tregojnë rritjen me 3.3% të punësimit në terma vjetorë, rënien në 11.4% të normës së papunësisë dhe rritjen me 3.5% të pagës mesatare në ekonomi.

Trendi përmirësues i treguesve të kërkesës agregate dhe i shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve ka pasqyruar dhe efektin e politikës sonë monetare stimuluese. Kjo politikë ka siguruar një ambient financiar të karakterizuar nga norma të ulëta interesi, nga prime të kontrolluara rreziku dhe volatilitet i ulët, duke ndihmuar dhe qëndrueshmërinë e kursit të këmbimit.

Ambienti i favorshëm financiar dhe përmirësimi i kërkesës dhe ofertës për kredi kanë diktuar një përmirësim të mëtejshëm të kreditimit. Në veçanti, konsolidimi i sektorit bankar dhe reduktimi i rrezikut të kreditit, sikundër ilustrohet nga rënia në nivelin 9.5% e raportit të kredive me probleme në muajin nëntor, kanë diktuar një përqasje më aktive të bankave drejt kreditimit. /Monitor

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet