Trazirat e zgjatura politike në këtë vit zgjedhor do të ndikonin negativisht ecurinë e ekonomisë së vendit.

Në daljen e përmuajshme para mediave, Guvernatori Gent Sejko ka analizuar treguesit ekonomikë e financiarë të vendit, duke theksuar se treguesit e deritanishëm flasin për rritje të konsumit, të kërkesës së brendshme e të jashtme.

Në rast se situata do të jetë e tejzgjatur mund të ketë edhe pasoja negative. Parimisht dhe teorikisht, e kemi theksuar dhe herë të tjera, se përkeqësimet politike kanë efektin e tyre në ekonomi”, u shpreh Guvernatori i BSH.

Kreditë e këqija ranë në 18%
Sipas Bankës së Shqipërisë, niveli i kredive të këqija në këtë fillim viti është ulur në 18%. Ndërkohë që problem mbetet kërkesa e ulët për kreditim nga ana e biznesit të madh dhe hezitimi i bankave për të mbështetur me hua këtë sektor.

“Kostot e financimit të sektorit privat ruajnë nivelet e ulëta historike dhe kushtet “jo-çmim” vijojnë të lehtësohen për individët, por mbeten të shtrënguara për bizneset, kryesisht për korporatat. Vëllimi i kredisë në lekë u rrit me 11% në terma vjetorë, duke kompensuar tkurrjen e kredisë në valutë në muajin janar. Trendi rritës i kredisë në lekë është një zhvillim inkurajues, por shpërndarja e kësaj rritjeje tregon përqendrimin e saj në segmentin e individëve, ndërkohë që kredia për biznese vijon e ngadaltë. Kjo ecuri ndikohet nga sjellja hezituese e bankave ndaj këtij segmenti, nga kërkesa e pakët cilësore, por edhe nga gjendja e bollshme e likuiditetit, në formën e depozitave, që gëzojnë bizneset. Reduktimi i mëtejshëm i raportit të kredive me probleme në muajin shkurt, tashmë i zbritur në nivelin 18%, është një shenjë inkurajuese në këtë drejtim”, tha Guvernatori Gent Sejko.

Sejko tha se Banka e Shqipërisë do të forcojë në vijim përpjekjet për uljen e përdorimit të euros dhe shtimin e përdorimit të lekut.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com