Sekretari i NATO-s bisedë
telefonike me Donald Trumpin

Sekretari i NATO-s bisedë<br />telefonike me Donald Trumpin
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e zgjedhur të SHBA, Donald Trump. Lajmin e ka bërë të ditur organizata ushtarake përmes një komunikate për shtyp, në të cilën thuhet se sekretari i përgjithshëm e ka uruar zotin Trump për fitoren në zgjedhje, si dhe ka diskutuar me të për politikat e Aleancës. “Ata kanë nënvizuar rëndësinë afatgjatë të NATO-s dhe kanë diskutuar se si ajo mund t’i përshtatet ambjentit të ri të sigurisë, përfshirë konstrastin ndaj kërcënimin terrorist”, thuhet në komunikatë. 

Gjithashtu, Stoltenberg ka falenderuar Trump që ngriti gjatë fushatës së tij çështjen e shpenzimeve ushtarake, “që ka qenë një prioritet për sekretarin e përgjithshëm që nga marrja e detyrës në vitin 2014”, vijon dokumenti. 

Në fund, të dy kanë rënë dakord për faktin se janë bërë progrese përsa i takon ndarjes më të barabartë të detyrave dhe se të tjera gjëra duhen bërë. 
Stoltenberg ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për të pritur Trump në Bruksel, për samitin e NATO-s që do të mbahet vitin e ardhshëm.
 
Armët bërthamore
Valixhja e zezë që e ndjek gjithmonë Presidentin e SHBA-së, është arma më e fuqishme e të gjitha kohërave. Ja se çfarë përmban dhe si mund të shkaktojë fundin e botës. Gjatë ditëve në vazhdim, Donald Trump do të nisë një rrugëtim të gjatë dhe që pritet të përfundojë me 20 janar të 2017, me vendosjen e tij në Shtëpinë e Bardhë. Mes fazave më të rëndësishme dhe delikate të këtij tranzicioni janë takimet me drejtuesit ushtarakë, të inteligjencës dhe shërbimeve sekrete që do t’i shpjegojnë Presidentit të sapo zgjedhur dhe se çfarë fuqie e madhe po i jepet atij në dorë.
Përmbajtja e këtyre takimeve, pa dyshim që vetëm mund të imagjinohen, por nga ajo pak që ka dalë në dritë, i ngjan një komploti filmi. Trump do të zbulojë se kush janë operacionet e fsheha që qeveria amerikane po bën, ku dhe si përdoren dronët, çfarë pajisjesh përdor Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA) për të përgjuar komunikimet e të gjitha llojeve në botë, kush janë betejat elektronike në vazhdim dhe armiqtë e SHBA-së dhe infrastruktura e saj informatike. Më pas janë çështjet administrative: Presidenti do të informohet rreth grupeve të disidentëve jashtë shtetit të Qeverisë amerikane dhe që luftojnë kundër diktatorëve dhe terroristëve.
Konferenca e fundit, ndoshta më e rëndësishmja për sigurinë e vendit dhe botës, ka të bëjë me arsenalin bërthamor amerikan dhe planet e një lufte të mundshme bërthamore.
Në fakt, Presidenti është personi i vetëm që mund të autorizojë përdorimin e mbushjeve nukleare: pëlqimi vjen nëpërmjet aktivizimit të kodeve të veçanta në dispozicion nëpërmjet kodeve special që ai ka në posedim , sipas rregullave të angazhimit të ruajtur në një valixhe të quajtur Football.
Bëhet fjalë për valixhen e famshme prej lëkure të zezë, që e ndjek Presidentin në çdo lëvizje dhe se ajo është e ruajtur nga një skuadër ushtarake që përbëhet nga pesë ekipe me armë të ndryshme.
Përmbajta e valixhes u bë e njohur në vitin 1980 nga Bill Guley, atë kohë drejtor i zyrës ushtarake të Shtëpisë së Bardhë. Nëse mendoni se brenda saj ka një buton të kuq që shërben për nisjen e raketave, e keni gabim.
Kryesisht valixhja përmban letra. Dokumenti më i rëndësishëm i “Black Book” (Libri i Zi), një manual i vërtetë i luftës bërthamore me 75 faqe që përshkruan objektivat e mundshme, vlerat strategjike sipas skedarëve të ndryshme dhe viktimat që sulmi mund të shkaktojë; në disa raste edhe miliona njerëz.
Dy fashikujt e tjerë përmbajnë një listë të vendeve të sigurta për të lëvizur Presidentin në rast të ndonjë sulmi bërthamor dhe procedurat radiotelevizive të emergjencës për të komunikuar me Kombin.
Valixhja peshon 20 kg (ka në bërthame alumini) dhe transportohet nga personeli ushtarak, të cilët kanë një trajnim të veçantë për të ndihmuar Presidentin që të japë urdhrin e lëshimit të raketës bërthamore.
Mban edhe një telefon që përdoret kur Presidentin është në udhëtim: shërben për të vënë në kontakt nëpërmjet një linje të sigurt satelitore me Qendrën Kombëtare të Komandës Ushtarake, që merret me të gjitha urdhrat e lëshimit të raketave bërthamore.
 
Dëmshpërblimi
Donald Trump është dorëzuar përballë tri padive për mashtrim të ngritura nga tre ish-studentë të “Trump University” dhe ka pranuar që të paguajë 25 milionë dollarë dëmshpërblim për ta. Paditë ishin ngritur nga ish-studentët që kishin paguar në vitin 2005 një shumë prej 35 mijë dollarë për të mësuar “sekretet e tregut të pasurive të paluajtshme” nga instruktorët e perandorisë “Trump”.
Prokurori Eric Schneiderman deklaroi se pranimi i dëmshpërblimit nga ana e Donald Trump ishte një ‘kthesë befasuese’ dhe një fitore e madhe për ‘viktimat’.
Por avokati i Presidentit të zgjedhur mbajti një tjetër qëndrim. “Klienti im është i kënaqur nga kjo marrëveshje. Ai është i gatshëm që të sakrifikojë nga pasuria dhe interesat personale për ta hedhur këtë pas krahëve dhe për të vazhduar përpara”, deklaroi avokati Daniel Petrocelli.
Trump ishte paditur nga ish-studentë në Kaliforni dhe Nju Jork, të cilët akuzonin shkollën e hapur prej tij “Trump University” për mashtrim. Studentët pretendonin se ishin mashtruar dhe se shkolla kishte dështuar në dhënien e njohurive të duhura për ta në tregun e pasurive të paluajtshme.
Para zgjedhjeve, Trump kishte shprehur bindjen se do të fitonte ndaj të gjitha padive të ngritura kundër tij. “Do të fitoj gjyqet. Mund të kisha arritur një marrëveshje, mund ta arrij akoma një marrëveshje, por kam zgjedhur që të mos e bëj këtë”, deklaronte ai.
Prokurori Eric Schneiderman, të cilin Trump e ka sulmuar duke e quajtur “peshë e lehtë”, kishte kërkuar 40 milionë dollarë dëmshpërblim për llogari të paditësve. “Trump University” u hap me bujë në vitin 2005 dhe pesë vite më vonë u mbyll pa bujë. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ SHBA fiton medaljen e artë, thyejnë rekordin botëror

Paris 2024/ SHBA fiton medaljen e artë, thyejnë rekordin botëror