NATO nuk ka plane për të dërguar trupa luftarake në Ukrainën, në rast të një pushtimi nga Rusia. Kështu bëri me dije Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një intervistë për BBC.

"Ne nuk kemi plane për të vendosur trupa luftarake të NATO-s në Ukrainë... ne jemi duke u fokusuar në ofrimin e mbështetjes", tha ai.

Ky vendim, sipas Stoltenberg vjen për faktin se Ukraina nuk është anëtare e NATO-s.

"Ka një ndryshim midis të qenit anëtar i NATO-s dhe të qenit një partner i fortë dhe shumë i vlerësuar si Ukraina", u shpreh ai.

Deklarata e Stoltenberg vjen në një kohë kur tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës janë rritur. Rusia ka pozicionuar më shumë se 100 mijë trupa afër kufirit të Ukrainës, çka ka rritur shqetësimet për pushtim.