Sekretari amerikan i Shtetit Xhon Kerry do të vizitojë Tiranën në ditën e Shën Valentinit.
 
Sipas njoftimit në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit, ai do të takohet me udhëheqësit e vendit dhe për të diskutuar rreth integrimit Euro-Atlantik të Shqipërisë dhe marrëdhënieve të forta dy-palëshe.

Vizita në Shqipëri bën pjesë e turit të Kerryt në Europë, ai do udhëtojë në Gjermani në datat 10 – 14 shkurt për të marrë pjesë në konferencën e sigurisë në Mynih.
 
Po ashtu ai, do të marrë pjesë në takimin e Grupit Ndërkombëtar për Sirinë për të diskutuar rreth rrugëve për t’i dhënë fund konfliktit atje.

Ndërkaq për të takuar politikanët e nivelit të lartë, në 8 shkurt në Tiranë do të vijnë dhe eurodeputetët Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan.
 
Dy raporterët për Shqipërinë në Parlamentin Europian vijnë për të verifikuar nga afër zbatimin e ligjit për dekriminalizimin, i cili u miratua në seancën e fundit plenare dhjetorin e kaluar.