Mes arsyeve të shumta që bëjnë të gjithë të flasin për "The Odysseys" e Christopher Nolanit (nga kasti i jashtëzakonshëm te rekordet në arkën e fitimeve, deri te përdorimi i teknologjisë IMAX dhe i filmit 70 mm), i shtohet edhe një arsye fizike: bicepsët e Matt Damonit, të shfaqur në disa skena, nuk janë të tijët, por të një gruaje rreth 140 centimetra.
"Janë krahët më të bukur që kam parë ndonjëherë", komentoi aktori. Megjithatë, ai shtoi se në pothuajse të gjithë filmin muskujt janë të tijët: "Duhet t'i japim Cezarit atë që i takon Cezarit."
Zgjedhja për të përdorur një dublante për krahët e Odiseut u shpjegua nga vetë Damon në një podcast. Skena ku është bërë zëvendësimi është ajo në të cilën Odiseu dhe njerëzit e tij luftojnë me Lestrigonët, popullin e gjigantëve antropofagë.
Për t'i dhënë skenës ndjesinë e duhur të perspektivës dhe përmasave, shpjegoi aktori, Lestrigonët interpretoheshin nga "kaskadorë me gjatësi dy metra e dhjetë centimetra", ndërsa për ushtarët e Odiseut u përdorën dublantë më të shkurtër, rreth një metër e gjysmë të gjatë.
"Dublantja ime ishte një grua, një kaskadore që kishte krahët më të bukur që kam parë ndonjëherë", tregoi Damon. "Kur hyri në çadrën e kateringut, ishte hera e parë që e pashë. Shkova drejt saj, e përqafova dhe e falënderova për gjithë punën që kishte bërë."
Bëhet fjalë për Devyn Dalton, aktore dhe dublante kanadeze me gjatësi 137 centimetra e gjatë, e cila tregoi në Instagram përvojën e saj të punës në sheshxhirimin e "The Odyssey":
"Një punë ekipi epike. Punuam shumë, qeshëm jashtëzakonisht shumë dhe krijuam kujtime që nuk do t'i harroj kurrë. Pjesa më e mirë e kësaj pune është mundësia për të eksploruar vende të reja dhe për të takuar njerëz të mrekullueshëm gjatë rrugës."
Në një intervistë për New York Times, duke folur për vlerësimin e Matt Damon, ajo tha:
"Është diçka e pazakontë, sepse edhe nëse je para kamerës, nëse je dublante dhe e ke bërë mirë punën tënde, publiku nuk duhet të kuptojë që je ti. Një pjesë e punës sonë është të qëndrojmë të fshehur. I jam shumë mirënjohëse Matt-it për bujarinë e tij."
Një fotografi e Daltonit nga pas, ndërsa mban një shpatë dhe është gati të hidhet kundër gjigantëve, madje është përdorur në një nga posterat e filmit.
Megjithatë, Damon, 55 vjeç dhe 1,78 metra i gjatë, u kujdes të qetësonte fansat e tij:
"Në film kam përdorur pothuajse 100% krahët e mi. Duhet t'i japim Cezarit atë që i takon Cezarit."/Corriere
Komente





