TIRANË – Rreth orës 10:00, një grup përfaqësuesish të Qëndresës Qytetare, protestuan para Policisë Rrugore, kundër sekuestrimit të monopatinave nga autoritetet pas urdhrit për të ndaluar përkohësisht qarkullimin e tyre. Përfaqesues të organizatës dhe qytetarë kërkuan edhe pezullimin e vendimit për ndalimin e përkohshëm të tyre.  

Gazetari i Report TV, Sokol Dema raporton se në rang vendi janë sekuestruar 120 monopatina dhe motorë elektrikë që prej aksionit të hënën. Njëri nga përfaqësuesit e organizatës ka zhvilluar edhe një takim me shefin e Policisë Rrugore. Por, policia thotë se monopatinat nuk do tu kthehen qytetarëve për të paktën 30 ditë, deri kur pritet që të bëhen zyrtare edhe rregullat e reja për përdorimin e këtyre mjeteve.

Njëri nga përfaqësuesit tha për mediat se mënyra të tilla kanë treguar se nuk funksionojnë, duke përmendur edhe TikTokun. Ai shtroi pyetjen se edhe shumë shoferë makinash ngacin kundër rregullave të qarkullimit, por kjo nuk do të thotë se mjetet duhet t’u sekuestrohen.

“Qytetarët nuk janë kundër sigurisë rrugore. Çdo motormjet duhet t’i nënshtrohen disa aspekteve, psh mund të jetë kufizimi i moshës, i shpejtësisë, përdorimi i kaskës, por jo marrja e motomjeteve. Ka sa të duash njerëz që ecin keq me makina, a do të thotë se duhet jua marrim të gjithëve. Mënyra e të mbyllurit gjërave përmes aksioneve ka treguar se është dështim. E provuam me mbylljen e TikTok. Të marrë fund politika përmes aksioneve nga ministrat e rinj, që duan të riafirmojnë veten. Ne do t’i bëjmë sfidë të hapur policisë dhe ministrisë së Brendshme që çdo qytetar të marrë kuponin tatimor të mjetit dhe të dalë në rrugë se nuk ka argument ligjor që mjetet e tyre të konsfiskohet. Ne akoma nuk kemi një ligj që është botuar në Fletoren Zyrtare, por një dëshirë të ministres që është thënë nëpër media. Nuk kemi akoma një ligj për ndalimin.“, tha një përfaqësues.

Një qytetare, përdoruese e monopatinës, thotë se vendimmarrja është e paligjshme dhe e pakuptimtë nga ministrja e Brendshme, Albana Koçiu. Një tjetër që merret me biznesin e këtyre mjeteve thotë se duhet të jenë pjesë e grupit të punës për rregulloren e re.

“Kjo rregullorja e re, nuk ka një afat të caktuar dhe i bën bizneset dhe i dëmton moralisht. Zonja ministre të ishte më e qartë mbi datat e grupet e punës që do të ngrihet. Unë e drejtoj këtë biznes prej 8 vitesh. Mundohem t’i shërbej klientelës time edhe me trajnime. Të jemi pjesë e grupit të punës.  Do të lutesha të jepej një zgjidhje.”, u shpreh qytetari.

Sipas raporteve, më shumë se 900 persona kanë përfunduar në spital për shkak të aksidenteve me monopatina, çka ka bërë që autoritetet të ndërmerrnin këtë hap.

Më 12 tetor, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit njoftuan ndalimin e përkohshëm të përdorimit të monopatinave elektrike që nga e hëna, për shkak të rrezikut që mbartin deri në marrjen e masave të duhura.