Plot  1 ton e 130 kg heroinë është bllokuar  pas një operacioni tepër sekret të autoriteteve greke, ndërsa është shkatërruar një rrjet ndërkombëtar i trafikimit të drogës.  Pas një kontrolli në një prej vilave të lagjes Filothei të Athinës dhe në një depo në Koropi është zbuluar 1 ton e 130 kg heroinë.

Në operacion merrnin pjesë specialistë të ekipeve të misioneve speciale, grupi operacional i Departamentit të Antidrogës, ekspertë të krimit ekonomik në Policinë Greke, si dhe agjentë të Agjencisë Amerikane të Antidrogës, DEA.  Drogës ishte e fshehur në thasë ambalazhi të pluhurit të mermerit dhe me këtë mënyrë realizohej transporti i saj në brendësi të Greqisë dhe jashtë saj.

Në pranga kanë përfunduar 11 persona, 6 grekë, mes të cilëve një 15-vjeçar dhe 5 të huaj, të gjithë turq. Midis të arrestuarve ndodhet gjithashtu vajza e një tregtari diamantësh, i cili është edhe pronari i vilës ku u gjet lënda narkotike.

Gjithësej u gjenden 443 pako plastike me heroinë dhe një sasi e vogël kokaine. Janë konfiskuar gjithashtu 6 makina luksoze me të cilat kryhej transporti i lëndëve narkotike. Organet greke po vijojnë hetimet përkatëse, ndërsa të arrestuarit do të dërgohen tek prokurori i Pireut.
 
 
Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)