Dy makina luksi me vlerë 100,000 euro të vjedhura jashtë shtetit janë sekuestruar në Shqipëri. Autoritetet bllokuan një  një “Audi” me vlerë rreth 50 mijë euro që ishe vjedhur në Sllovaki por edhe një makinë tip “Seat Cupra”, po ashtu me vlerë rreth 50 mijë euro që ishte vjedhur në Itali.  Të dyja makinat do të shiteshin në Shqipëri. Në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Stolen Line’, në kërkim u shpall një 55-vjeçar me inicialet S. Sh., i dyshuar si personi që e trafikoi Audin dhe një person me inicialet G.L për makinën ‘Seat Cupra’.

Hetimet po vijojnë për kapjen e dy të dyshuarve, ndërsa dosja i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit

"Vijon operacioni i koduar “Stolen line”. Sekuestrohen 2 automjete të tjera të vjedhura jashtë shtetit dhe të trafikuara në Shqipëri. Gjatë fazës së sotme u sekuestrua 1 automjet me vlerë rreth 50 000 euro, i dyshuar i vjedhur në Sllovaki, ndërsa dje, u sekuestrua 1 automjet me vlerë rreth 40 000 euro, i dyshuar i vjedhur në Itali. Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetasit që dyshohet se kanë trafikuar automjetet, në Shqipëri. Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, kryer në vijim të operacionit “Stolen line”, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit në Shqipëri, të automjeteve të vjedhura jashtë shtetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme konstatuan një tjetër rast në këtë fushë. Në vijim të veprimeve procedurale, u sekuestrua 1 automjet tip “Audi”, me vlerë rreth 50 000 euro, i cili nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Sllovaki. Në lidhje me këtë rast u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi që dyshohet se ka sjellë automjetin, në Shqipëri, me qëllim shitjen, S. Sh., 55 vjeç. -Ndërkaq, dje, në kuadër të operacionit “Stolen line”, u sekuestrua 1 automjet tip “Seat Cupra”, me vlerë rreth 50 000 euro, i cili nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Itali. Në lidhje me këtë rast u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi që dyshohet se ka sjellë automjetin, në Shqipëri, me qëllim shitjen, G. L. Punohet për kapjen e të dy shtetasve. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme".