Policia ka goditur një rast të mosdeklarimit të të hollave në kufi. Mësohet se Policia Kufitare në Rinas, në bashkëpunim me shërbimet e Doganës Rinas dhe Antitrafikut në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, kanë sekuestruar 33000 dollarë të cilat nuk i kishte deklaruar shtetasi turk N. P., 43 vjeç. Ky i fundit po procedohet penalisht.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë kontrollet e imtësishme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Brenda pak ditësh goditet një tjetër rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi. Sekuestrohen 33000 dollarë, procedohet penalisht një 43-vjeçar, shtetas turk. Shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas në bashkëpunim me shërbimet e Doganës Rinas dhe Antitrafikut në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në vijim të kontrolleve të imtësishme, në bazë të analizës së riskut, në hyrje të PKK Rinas, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar të bagazheve, shtetasin turk N. P., 43 vjeç.
Si rezultat i kontrollit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë gjetur të fshehura në çantën e laptopit, 33000 dollarë, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar. Në vijim të veprimeve, shtetasi N. P., u procedua penalisht për veprën penale "Mosdeklarim në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë", si dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale shuma e dollarëve. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.